Përjetimi i presionit lidhur me peshën në adoleshencë mund të ndikojë thellësisht në perceptimin e vetes në moshë madhore, ka zbuluar një studim i fundit.
Të gjithë individët që ndihen nën presion për të humbur peshë nga familja ose media, përballen me një rrezik të shtuar të stigmës së peshës, në të ardhmen, sipas një studimi të ri.
Stigma e peshës ndodh kur njerëzit aplikojnë stereotipe negative të lidhura me obezitetin për veten e tyre, të tilla si të menduarit se janë më pak tërheqës, më pak kompetent ose më pak të vlefshëm për shkak të peshës së tyre, thonë ekspertët.
Njerëzit me stigmën e peshës kanë më shumë gjasa të hanë në mënyrë të çrregullt dhe të kenë shëndet të dobët mendor. Akademikët, të udhëhequr nga një ekip i Universitetit të Bristolit, mblodhën të dhëna për një periudhë 32-vjeçare. Studimi i tyre, i botuar në revistën “The Lancet Regional Health: Europe”, zbuloi se ndjenja e presionit nga familja për të humbur peshë, ngacmimet e lidhura me peshën nga anëtarët e familjes dhe ndjenja e presionit nga media tek adoleshentët ishin të gjitha të lidhura me nivele më të larta.
Analiza e mbi 4000 njerëzve zbuloi gjithashtu se ngacmimi në adoleshencë dhe në moshën e hershme lidhej me stigmën e peshës në moshën 31-vjeçare.
“Mjedisi familjar në adoleshencë, ngacmimi dhe presioni për të humbur peshë nga mediat mund të kenë ndikime afatgjata në mënyrën se si njerëzit e vlerësojnë veten, bazuar në peshën e tyre si të rritur”,- tha Dr. Amanda Hughes, studiuese në Bristol: Shkencat e Shëndetit të Popullsisë, një prej autoreve të studimit.
“Ne kemi mundësi për të reduktuar stigmën e peshës dhe pasojat e saj duke ndryshuar mënyrën se si e diskutojmë peshën në media, në hapësirat publike dhe në familje dhe si reagojmë ndaj bullizmit në shkolla, vendet e punës dhe mjedise të tjera. Presioni për të humbur peshë dhe ngacmimi, stigma dhe diskriminimi lidhur me peshën, janë të zakonshme në shumë kultura në mbarë botën."
Tom Quinn, drejtor i punëve të jashtme në Beat, shton: "Ne e dimë se ndjenja e fajit dhe e turpit rreth peshës, si dhe përballja me presionin për të humbur peshë, mund të jenë faktorë kontribues në zhvillimin e çrregullimit të të ngrënit ose përkeqësimin e një çrregullimi ekzistues".
“Media mund të luajë një rol vendimtar në këtë, ndaj nevojitet një ndryshim i madh i gjuhës së përdorur rreth peshës dhe madhësisë së trupit. Ky hulumtim jetik nxjerr në pah efektet afatgjata dhe shkatërruese të stigmës së peshës që shohim çdo ditë në botë."