Në një konferencë që u mbajt së fundmi në Seul me rastin e sezonit të dytë të serialit hit të Netflix “Squid Game”, u fol më shumë për atë që pritet të ndodhë në sezonin e ri.
Konferenca u mbajt në Dongdaemun Design Plaza, ku ishte i pranishëm edhe krijuesi i këtij projekti. Hwang Dong-Hyuk nuk u fokusua në serialin në konferencë.
Përkatësisht, ai vendosi të tërheqë vëmendjen për gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur pak ditë më parë nga presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol.
“Ka trazira politike që po ndodhin në Kore dhe unë jam këtu me zemër të thyer. Mendoj se është fatale që seriali po del në këtë kohë”, vuri në dukje Hwang, duke shtuar se sezonin e dytë ai e përshtati me ngjarjet aktuale.
“Sezoni 2 tërheq shumë paralele me atë që po dëshmojmë në botën reale tani”, tha ai.
Koreja e Jugut ka qenë shumë e tensionuar që nga e marta. Presidenti Yoon Suk-yeol hoqi gjendjen e shpallur të jashtëzakonshme pas vetëm gjashtë orësh pasi parlamenti anuloi vendimin e tij. Të shtunën u zhvilluan protesta para parlamentit, në të njëjtën kohë me mbledhjen e deputetëve për shkarkimin e presidentit.
“Shpresoj që ne të mund të kthehemi në njëfarë normaliteti dhe që populli korean të mund të shijojë sezonin e festave ndërsa viti po i afrohet fundit – njerëzit e meritojnë këtë”, përfundoi Hwang Dong-hyuk.