
Divorci i bujshëm i Xhensila Myrtezajt dhe Bes Kallakut u shoqërua me një lumë komentesh në rrjet dhe me tituj të panumërt në media e portale, edhe pse asnjë nga protagonistët nuk deklaruan publikisht atë që po ndodhte me martesën e tyre. Mbrëmjen e sotme, e ftuar në “Mirëmbrëma yje”, këngëtarja foli për herë të parë për fundin e martesës së saj, të cilin, siç tha ajo, nuk e shikon si dështim personal.
“Nuk e shikoj si dështimin tim personal. Martesa nuk është thjesht me veten, por me një individ tjetër. Asgjë në këtë jetë nuk është e garantuar, as jeta, as vdekja dhe as martesa. Madje, mjafton të di që unë bëra të pamundurën, të paktën pjesën time”, – tha Xhensila.

Por mes lajmeve pati edhe nga ato që spekuluan se divorci erdhi për shkak të një tradhtie. Pyetjes nëse ka pasur një person të tretë që ka ndikuar në ndarjen e tyre, Xhensila iu përgjigj: “Unë besoj që kur ka probleme në çift, përgjegjësia është e dyanshme dhe duhen dy për ta kërcyer tangon. Në rast kur pesha i mbetet vetëm njërit partner, marrëdhënia dështon. Nga vetë fjala marrëdhënie, marr dhe jap, kthehet vetëm marr ose vetëm jap. Problemet mes një çifti nuk zhvillohen domosdoshmërisht nga një palë e tretë. Të paktën në rastin tonë nuk ka ekzistuar kurrë diçka e tillë. Për këtë pjesë, besoj se jemi të dy të qetë”.



