
Wiwibloggs.com, faqja zyrtare e Eurovisionit, i ka kushtuar së fundi një artikull veshjes së përfaqësuesve shqiptarë në festivalë e në mënyrë të veçantë, fustanit të Beatriçes.
Performanca e “Shkodra Elektronike” në Eurovizion 2025 me këngën “Zjerm” i referohet legjendës shqiptare të Rozafës, një grua që u muros e gjallë brenda mureve të një kalaje, që fëmija i saj të kishte një shtëpi më të fortë.

Vokalistja kryesore, Beatrice, i bën nder kësaj legjende përmes fustanit të saj të kuq mahnitës, që ngjan me një flakë të kuqe, simbol i pasionit dhe flijimit që nënat kanë për fëmijët e tyre. Kjo legjendë është e lidhur ngushtësisht me qytetin e saj të lindjes, Shkodrën, dhe pikërisht kjo e bën edhe më të thellë domethënien e pamjes së saj, ndërsa këndon për vendlindjen.

Kjo është vetëm një nga copëzat interesante që këngëtarët shqiptarë ndanë me ne gjatë një interviste njëorëshe.
Beatrice i dhuroi publikut edhe një tutorial për kërcimin e “Zjerm”-it, duke shpjeguar me humor: “Lëvizni ijet pa frikë, por mos goditni askënd!”

Dhe çfarë duan ata që bota të mbajë mend për këngën e tyre pas Eurovizionit?
Për “Shkodra Elektronike”, “Zjerm” nuk është vetëm një këngë, është një përzierje e pasionit, historisë dhe identitetit shqiptar, e sjellë me një energji moderne që prek zemrat. Ata duan që bota të kujtojë emocionin, mesazhin dhe fuqinë që një këngë mund të ketë kur vjen nga thellësia e shpirtit dhe rrënjët e një kulture të lashtë.
“Për mua, të kujtohet se mund të bësh gjithçka që do me kreativitet. Mund të krijosh këngën që preferon dhe të marrësh pjesë në Festivalin e Këngës dhe të fitosh! Për mua, kjo është gjëja më e rëndësishme: t’u japësh këtë mundësi të tjerëve. Ne thjesht shkruam një këngë që na pëlqeu dhe diçka ndodhi. Gjej veten në atë që bën. Mos e ripërsërit atë që bëjnë të tjerët. Gjej gjuhën tënde, kjo është kaq e rëndësishme.”



