
I ftuar ditën e sotme, 27 Mars, në emisionin “Rudina” Tv Klan ishte artisti Erand Sojli, i cili surprizoi publikun në Festivalin e Këngës në edicionin e tij të 64-t me interpretimin e këngës “Të kam në fron”.
Pikërisht për të folur mbi eksperiencën në Festival dhe jo vetëm, Erandi e nisi intervistën me interpretimin e kësaj kënge të krijuar prej tij, për të cilën u shpreh se u ndje më mirë teksa e këndonte në studion e “Rudina”, sesa në skenën e madhe të Festivalit.
Një fjali kjo e dhënë pas zhgënjimit që përjetoi në atë festival, ku sipas tij kënga nuk mori rëndësinë e duhur dhe nuk mori vëmendjen e duhur.
“Nuk pata asnjëherë mundësi të bëja një provë nga fillimi deri në fund, pasi kënga është pak e komplikuar… Performanca në raport me të gjitha kërkesat që unë kisha, ishte komplet pa lidhje dhe këtë e them sepse është një këngë që frymëzon”, u shpreh Sojli.
Ai gjithashtu pohoi se perfomimi Live në një festival ka një peshë të madhe dhe fakti që nuk e dëgjoi këngën të plotësuar me gjithë elementët për ta nderuar Festivalin e Këngës me një këngë me shpirt njerëzor, e bën dhe më të pakënaqur artistin.
“Më erdhi keq sepse pikërisht ai moment ku unë pata defektin në dëgjim dhe bërtita, ai moment pastaj u shpërnda nëpër story, nëpër Instagram dhe kënga u promovua me një defekt dhe unë u sulmova shumë keq nga komentuesit ‘S’di të këndosh’, etj”, tha Sojli i keqardhur.
Erand Sojli pohoi se frymëzimi për ta realizuar këtë këngë i erdhi në ambjentin e tij të shtëpisë, ku dhe motivi dhe teksti i erdhën në të njëjtën kohë, teksa filloi të ëndërronte për njeriun e “fronit” të tij.



