
Reperi i njohur Gjesti ka reaguar për herë të parë pas lirimit nga paraburgimi, duke dhënë një sqarim të gjatë përmes rrjeteve sociale lidhur me situatën e fundit.
Fillimisht, artisti ka bërë të ditur se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pranë familjes së tij, teksa ka falënderuar publikun për mbështetjen.
“Shëndoshë e mirë, afër familjes time. Ju dua e faleminderit 100 herë për përkrahjen e mesazhet e mira”, është shprehur ai përmes një postimi në Instagram.
Më tej, Gjesti ka pranuar se ka bërë gabim, duke kërkuar falje për shqetësimin e shkaktuar, ndërsa ka theksuar se periudha e fundit ka qenë shumë e vështirë për të.
“Periudha e fundit nuk ka qenë më e lehta për mua… Fillimisht po dua me pranu që kam bërë gabim edhe kërkoj falje për shqetësimin që e kam shkaktuar te stafi. Më vjen shumë keq, edhe jam shumë pishman”, ka shkruar ai.
Ai shton se situata ka ardhur si pasojë e një presioni të vazhdueshëm ndër vite, të cilin e cilëson si “torturë”, që sipas tij ka ndikuar në gjendjen emocionale.
Një falënderim i veçantë nga artisti ka shkuar për avokatët e tij, Burim Azemi dhe Artan Çerkini, për mbështetjen dhe profesionalizmin.
Në reagimin e tij, Gjesti ka zbuluar gjithashtu se ka nisur procedura ligjore ndaj kompanisë Onima, duke e akuzuar për keqtrajtime ndër vite, borxhe të papaguara, mundësi të humbura dhe dëme të shkaktuara.
“Në bashkëpunim me label, menaxhmentin edhe avokatët tonë në Britani, kemi nis procedura ndaj kompanisë Onima… Ka shumë gjëra që akoma nuk i dini, po që keni me i kuptu shumë shpejt”, thuhet në deklaratë.
Pavarësisht situatës, ai është shprehur i vendosur për të vazhduar me muzikën, duke theksuar se askush nuk mund ta ndalë.
“Muzikën nuk mundet me ma ndal askush… gjatë kësaj kohe edhe nëse jemi në gjyq, këngët e mia kam me i publiku në TikTok e Instagram… pa muzikë nuk ju lë”, ka shtuar ai.
Në fund, Gjesti është shprehur optimist për drejtësinë, duke theksuar: “Drejtësia ka me fitu, si gjithmonë.”



