
Aktori i njohur hollivudian, Kevin Spacey, ka arritur një marrëveshje jashtë gjykate me tre persona që e kishin paditur për sulm seksual, duke shmangur kështu një përballje të drejtpërdrejtë në Gjykatën e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar gjatë këtij viti.
Paditësit pretendonin se incidentet kishin ndodhur në periudhën mes viteve 2000 dhe 2013. Megjithatë, aktori 66-vjeçar, fitues i çmimit 'Oscar', i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat. Kujtojmë se në vitin 2023, Kevin Spacey u shpall i pafajshëm për nëntë akuza të tjera për vepra seksuale në një gjyq penal.
Dy prej paditësve kishin qenë gjithashtu pjesë e atij procesi penal dhe më pas kishin ngritur padi civile në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar. Njëri prej tyre pretendon se është ngacmuar rreth 12 herë midis viteve 2000 dhe 2005, ndërsa një tjetër ka deklaruar se u njoh me aktorin në Old Vic Theatre në Londër dhe se ka pësuar dëmtime psikologjike dhe humbje financiare pas një incidenti në vitin 2008.
Kevin Spacey ka qenë drejtor artistik i këtij teatri nga viti 2004 deri në 2013. Ndërkohë, paditësi i tretë, Ruari Cannon, ka hequr dorë nga anonimiteti dhe ka pretenduar se është prekur në mënyrë të papërshtatshme nga aktori gjatë një feste pas premierës së shfaqjes “Sweet Bird of Youth” në vitin 2013.
Në një seancë më herët këtë muaj, avokatët e paditësve kishin kërkuar që dëshmitë e shtatë personave të tjerë me pretendime të ngjashme të përfshiheshin në gjyq.
Megjithatë, pas arritjes së marrëveshjes mes palëve, procedurat janë pezulluar. Detajet e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë publike.



