
Festivali i Këngës në RTSH është një përjetim emocionesh të forta, si në skenë ashtu edhe pas saj.
Këtë vit, prapaskenat do të moderohen nga gazetari Andri Xhahu dhe moderatorja Antoneta Koçi, të cilët do të sjellin për publikun momentet më intensive para dhe pas performancave live të artistëve.
“Do të përpiqemi t’u krijojmë artistëve një hapësirë të qetë bisede, për të lehtësuar emocionet dhe për ta shijuar sa më bukur këtë event kaq të rëndësishëm,” u shpreh Koçi.
Ndërsa Xhahu theksoi se pas shkëlqimit të skenës fshihen emocionet më reale: ankthi, shpresa, lotët dhe gëzimi, momente që publiku do t’i ndjekë ekskluzivisht në prapaskenë.
Fest 64 përfaqëson gjithashtu një mundësi të artë për artistët e rinj, të cilët përmes këtij debutimi synojnë afirmimin në muzikën shqiptare dhe hapjen e dyerve drejt skenave ndërkombëtare.



