
Nëse gjithmonë keni qenë në jetesë me familjen apo me shok/qe dhome, keni menduar ndonjëherë të jetoni vetëm?
Për gazetaren, Xhiliola Lamaj, e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, jetesa vetëm nuk është problem, madje shprehet se ndihet mjaft e përmbushur.
Ajo që duhet të theksojmë, është se Lamaj nuk jeton me familjen apo partner, por ndodhet nën shoqërinë e një shoqeje katër putroshe, Alfa, që e angazhon mjaft mirë në përditshmëri.
“Unë momentalisht vetëm jam, por kjo nuk do të thotë se nuk e kam shpirtin plot. Kjo, nuk do të thotë se unë nuk jam e plotësuar. Shpirtërisht dhe mendërisht jam shumë mirë, jam shkëlqyer, sepse një pjesë të emocioneve dhe të angazhimeve të ditës ma merr qenushja ime, Alfa, që ma mbush shpirtin dhe ma gëzon jetën”, tha ajo.
Lamaj shprehet se jetesa vetëm ka anën pozitive, duke theksuar se ndihet e lirë, por kjo gjë nuk e bën atë të mendojë se nuk dëshiron të gjejë partnerin e jetës.
“Jam e lirë, nuk jep llogari njeriut se çfarë do të bësh, çfarë angazhimesh merr, një projekt të ri, kur do të dalësh, kur do të hysh në shtëpi.
Kjo kënaqësia e të jetuarit vetëm, nuk do të thotë se unë nuk dua të jem çift. Këtë nuk e diskutoj fare”, tha ajo.
Sakaq, jetesa vetëm ka dhe sfidat e saj. Një prej tyre, sipas gazetares, është suporti financiar dhe së dyti, mbështetja emocionale.
“Momentet e vështira janë taksat dhe detyrimet në fund të muajit, që duhen paguar një më një dhe s’ke asnjë ndihmë financiare, suport financiar që të të mbulojë atë pjesë të fnances. Në rastet kur je nga ana shëndetësore jo shumë mirë, edhe të duhet të shkosh në spital, dikush duhet të të shoqërojë, apo jo?
Për shembull, ka raste që do të dalësh shëtitje orët e vona dhe privohesh sepse të duhet patjetër një figurë maskeline që të të mbrojë, që të jetë aty për ty që ta bësh atë shëtitjen andej nga liqeni ose ndoshta edhe më shumë se sa aq, të ecesh në këmbë e të ndihesh lirshëm, të marrësh atë ajrin e pastër. Ka dhe raste të tjera, kur pret që dikush të të dhurojë diçka, që të të gëzojë, qoftë edhe me një gjë simbolike, të të përmbushi emocionalisht”, tha ajo.



