
Traileri i filmit 'Spider-Man: Brand New Day' është futur tashmë në histori si më i shikuari i të gjitha kohërave, duke arritur një shifër mbresëlënëse prej 718.6 milionë shikimesh në vetëm 24 orë në të gjitha platformat.
Videoja, e publikuar nga 'Sony Pictures', ka lënë pas rekordin e mëparshëm të mbajtur nga Deadpool & Wolverine, i cili kishte grumbulluar 365 milionë shikime. Madje, vetëm në tetë orët e para, traileri i “Brand New Day” arriti 373 milionë shikime, duke kaluar edhe performancën e trailerit të “Deadpool 3”, të prezantuar gjatë Super Bowl 2024.
Para këtyre rekordeve, kryesimin e mbante 'Spider-Man: No Way Home' me 355.5 milionë shikime në një ditë. Tashmë, filmi i ri ka shkuar edhe më tej, duke tejkaluar jo vetëm rivalët në kinema, por edhe industrinë e lojërave, duke lënë pas trailerin e 'Grand Theft Auto VI', që kishte arritur 475 milionë shikime në 24 orë.
Filmi shënon rikthimin e Tom Holland në rolin e Spider Man, për herë të parë që nga suksesi global i “No Way Home”, i cili gjeneroi rreth 1.9 miliardë dollarë në mbarë botën. Ngjarjet zhvillohen katër vite pas filmit të fundit, ku Piteri Parker jeton i vetëm, pasi ka fshirë veten nga kujtimet e të dashurve të tij, duke iu përkushtuar plotësisht mbrojtjes së Nju Jorkut.
Por këtë herë, përballë presioneve gjithnjë në rritje, ai përballet me një transformim të papritur fizik dhe një kërcënim të ri kriminal që mund të vërë në rrezik vetë ekzistencën e tij.
Në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe Zendaya, Sadie Sink, Jacob Batalon, Jon Bernthal dhe Mark Ruffalo.
Regjia i është besuar Destin Daniel Cretton, ndërsa skenari është shkruar nga Chris McKenna dhe Erik Sommers. Filmi prodhohet nga Kevin Feige, Amy Pascal dhe Avi Arad.
Me këtë nisje spektakolare, “Spider-Man: Brand New Day” pritet të jetë një nga sukseset më të mëdha kinematografike të viteve të fundit.



