Teksa Brikena Selmani po shijon javët e fundit dhe po lufton fort brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania, jashtë saj vëmendja është tërhequr nga një ngjarje krejt tjetër. Mbrëmjen e kaluar u transmetua një episod i shumëpërfolur i programit “Doktor Plastik”, ku protagoniste ishte pikërisht banorja e njohur.
Në këtë episod të xhiruar gjatë sezonit të verës, u zbulua se Brikena i ishte nënshtruar ndërhyrjeve estetike, konkretisht një “temporal lift” për tërheqjen e syve, vetullave dhe mollëzave.
Por ajo që ngjalli më shumë debate në rrjetet sociale ishte padyshim koha e transmetimit.
Pse u zgjodh pikërisht ky moment kur rrugëtimi i saj në reality show po shkon drejt finales? Për të shuar çdo aludim të ndjekësve dhe komenteve të ashpra në rrjet, produksioni i “Doktor Plastik” theu heshtjen me një deklaratë zyrtare.
Në lidhje me spekulimet dhe keqinterpretimet e fundit mbi publikimin e episodit me Brikena Selmanin nga “Doktor Plastik”, e konsiderojmë të domosdoshme të sqarojmë qartë dhe pa asnjë ekuivok sa vijon: Episodi është realizuar disa muaj përpara hyrjes së saj në formatin televiziv Big Brother. Çdo pretendim që lidh publikimin me zhvillimet aktuale është i pavërtetë dhe i pabazë. Vendimi për publikimin në fund të sezonit është marrë me kërkesë të drejtpërdrejtë të vetë Brikena Selmanit, me qëllim që të mos cënohej imazhi i saj gjatë pjesëmarrjes në program. “Doktor Plastik” ka vepruar në mënyrë korrekte, transparente dhe në respekt të plotë të marrëveshjes me të ftuarën. Çdo përpjekje për të deformuar këtë realitet është e papranueshme dhe nuk përfaqëson të vërtetën. Kërkojmë nga publiku dhe mediat që të mbështeten në fakte dhe jo aludime.



