
Deklarata e fortë publike e Brooklyn Beckham për konfliktin me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, po mbështetet edhe nga burime pranë tij, të cilat theksojnë se ajo që ai ka thënë është e vërtetë dhe se pajtimi nuk është aktualisht një opsion.
Sipas burimit për Page Six, raporti mes Brooklyn dhe prindërve të tij është dëmtuar aq shumë sa “për momentin është tepër vonë” për një ribashkim. Burimi shton se 26-vjeçari “ka arritur limitin” dhe se ka vendosur të flasë për të mbrojtur veten dhe martesën me Nicola Peltz.
Brooklyn, përmes një postimi në Instagram, mohoi kategorikisht zërat për pajtim, duke deklaruar se nuk po kontrollohet nga askush dhe se për herë të parë po qëndron në këmbë për veten e tij. Ai akuzon prindërit se kanë vënë “Brand Beckham” mbi familjen dhe se kanë ushtruar presion e sulme ndaj tij dhe bashkëshortes, si privatisht ashtu edhe publikisht.
Burime të tjera pretendojnë se tensionet kanë nisur para dasmës së vitit 2022 dhe janë përkeqësuar më pas, ndërsa ndërhyrjet dhe presioni mediatik vetëm sa e kanë thelluar krizën. Sipas tyre, për Brooklyn, dalja publike ishte e vetmja mënyrë për të treguar anën e tij të historisë dhe për të ruajtur paqen në jetën personale.




