Eiza González ka folur hapur për luftën e saj të përjetshme me imazhin e trupit.
Aktorja e “Na ishte njëherë Lola”, publikoi fotografi të saj ndër vite, duke thënë se Java e Ndërgjegjësimit për Çrregullimet e Ushqimit e nxiti të ndante marrëdhënien e saj “të ndërlikuar” me trupin.
“Duket si një moment i rëndësishëm për të pranuar sa e luhatshme mund të jetë të ndihesh e pasigurt në lëkurën tënde,” shkroi ylli i telnovelës së famshme meksikane “Dashuri e vërtetë” për javën e mbështetur nga National Eating Disorder Association, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të ulë stigmat rreth çrregullimeve të ushqimit.
“Pjesën më të madhe të jetës sime marrëdhënia ime me trupin ka qenë e ndërlikuar. Filloi në moshë të re, pas vdekjes së papritur të babait tim, kur përballova depresionin duke ngrënë në mënyrë kompulsive, duke u përpjekur të qetësoja dhimbjen që nuk e kisha përpunuar,” shkroi González për të atin, i cili vdiq kur ajo ishte 12 vjeçe në një aksident me motoçikletë. “Në moshën 13-vjeçare kisha shtuar 15 kilogramë pothuajse brenda natës, duke u përballur njëkohësisht me pikëllimin, pubertetin dhe konfuzionin,” vazhdoi ajo.
Por në moshën 15-vjeçare ajo fitoi rolin kryesor në serialin e “Sueña conmigo”. Atëherë, siç tregoi ajo, “u gjenda papritur në qendër të vëmendjes publike. Çdo imazh analizohej, çdo detaj kritikohej dhe të gjithë dukeshin se kishin një mendim për trupin tim, për atë që isha dhe për atë që duhej të isha.”
Ky “vëzhgim i vazhdueshëm” shkaktoi “dismorfi të thellë” që “më çoi në një rrugë të dhimbshme,” reflektoi ajo. “U bëra e fiksuar duke u peshuar vazhdimisht, duke matur vlerën time me kilogramë, duke pyetur veten nëse të humbisja më shumë peshë do t’i bënte njerëzit të më pëlqenin, apo do të më bënte të pëlqeja veten”, një situatë që u shfaq edhe më vonë me rolin e saj në “Dashuri e vërtetë” si Niki, vajza e një familjeje të pasur që vuante nga bulimia.
Ndërsa në sipërfaqe González po përjetonte një ngritje në karrierë, “miratimi nuk erdhi kurrë. Përkundrazi, mendimet u shumëfishuan. Ajo që mendoja se dukej si forcë, të formësoja veten sipas asaj që të tjerët donin, u perceptua si dobësi. U dorëzova ndaj zhurmës dhe u ndjeva më bosh se kurrë.”
Ajo vazhdoi: “E vetmja gjë që mësova nga e gjithë kjo është sa e fuqishme mund të jetë mendja dhe sa shumë mund të ndryshojmë kur vendosim vullnetin tonë për diçka. E njëjta energji që përdor për ta zvogëluar veten, ose për t’u përshtatur me standardin, mund të përdoret për të ndërtuar atë që vërtet ëndërron të jesh.”
Përshkrimi i saj shoqërohej me një seri fotografish që vendosnin përballë selfie-t e vetes së saj më të re me foto të saj sot, duke treguar një trup të fortë në palestër. Siç shkroi González: “Sot, si një grua e rritur, unë zgjedh veten. Nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë dhe ende vazhdon. Me kalimin e kohës, ndërsa trupi im ka mbajtur peshën e përvojave të mia dhe më ka ‘folur’ mbrapsht, prioritetet e mia kanë ndryshuar. Fuqia e tij tani i shërben një qëllimi tjetër.”
Ajo e mbylli postimin me disa fjalë mbi mënyrën se si ka ndryshuar imazhi i saj për trupin dhe me një mesazh inkurajues për mbështetësit e saj.
“Jam përkushtuar thellësisht t’i jap trupit tim dashuri, ta ushqej me mirësi, kujdes dhe respekt që të ndihet i lumtur dhe i përmbushur”, përfundoi Gonzalez. “Shpresoj që kushdo që e lexon këtë ta dijë se të zgjedhësh veten dhe ta respektosh trupin tënd për arsyet e duhura është shumë më kuptimplotë sesa të përpiqesh të të pëlqejnë të tjerët, madje ndonjëherë edhe vetja. Nuk më pëlqen të shtirem se rrugëtimi ka mbaruar; është i vështirë, kompleks. Por kurrë nuk është vonë.”



