
Artisti Fabian Basha i njohur edhe si pjesë e grupit “Produkt 28”, flet për rrugëtimin e karrierës së tij, familjen, por edhe si e rigjeti veten në studio muzikore pas shumë vitesh.
Në emisionin “Zgjohu me MCN” ai kujtoi se si grupi u krijua nga tre djem që ishin në një klasë. Po ashtu ai zbulon se grupi do të rikthehet, por se mënyrën se si nuk e kanë vendosur ende.
Albani ishte vëllai i Doktor Florit, dhe kishte studion muzikore në dispozicion. Shkonim çdo të premte në një restorant dhe kishim 11 mijë lekë të vjetra në dispozicion. Hanim, pinim dhe një shishe verë 3 mijë lekëshe dhe fillonin ëndrrat. Ne ëndërruam aq fort sa ato ëndrra gradualisht u kthyen në realitet. Në pamundësi për të ndërtuar studio, nuk e bëmë dot, mblidheshim tek shtëpia e Albanit që kishte një kompjuter në shtëpi. Ka qenë një periudhë fantastike e jetës sonë, moshën e kemi shijuar në maksimum. Për herë të parë dolëm te festivali 'Këngët e Stinës', ku nuk morëm asnjë çmim, ishte periudhë ku repi diskriminohej. Nga aty morëm pjesë te 'Kënga Magjike' me këngën 'Trokas' të cilën na e bëri Doktor Flori. Ajo këngë na i hapi dyert. Teksti ka qenë çelësi që muzikës i ka dhënë jetëgjatësi. Unë me Albanin vazhdojmë e ruajmë marrëdhënien shoqërore, vazhdojmë dhe punojmë. Janë disa materiale që janë hedhur pikat e para. Do të ketë një rikthim të grupit, por se si mbetet akoma për t'u vendosur. Problemi kryesor është që me gjithë angazhimet e familjeve dhe punës, nuk po mblidhemi dot.
Duke folur për bashkëshorten, balerinën Olta Ahmetaj, Fabiani tha se ajo është drejtoreshë artistike e Cirkut Kombëtar.
I ka hyrë një aventure të re. Realizoi një premierë shumë të suksesshme në muajin qershor dhe është duke zhvilluar profesionin e saj si koreografe. Dy djemtë tanë dëgjojnë muzikë gjithë kohës, këndojnë gjithë kohës. Tristani ka marrë dhe çmim të parë në shkollë. Më pëlqen që kanë gusto të mirë muzikore. Po qe se do kenë dëshirë le të merren, unë nuk i kam parë asgjë të keqe kësaj aventure.



