SHOWBIZZ

Familja e Mirit bën një reagim publik ku përfshin edhe produksionin: "Akuzat kanë kaluar çdo kufi të pranueshëm"

Familja e Mirit bën një reagim publik ku përfshin edhe

Familja e Armir Shahinit ka reaguar me një deklaratë publike lidhur me situatën e krijuar rreth tij në Big Brother Albania VIP, duke shprehur shqetësim për mënyrën si është interpretuar dhe transmetuar sjellja e tij.

Sipas tyre, akuzat dhe etiketimet ndaj Armirit kanë kaluar kufijtë e pranueshëm dhe kanë cenuar identitetin e tij moral e profesional. Ata theksojnë se ai ka hyrë në format me qëllim pozitiv dhe se ironia e përdorur në disa raste ka qenë një mënyrë për të përballuar presionin brenda shtëpisë.

Familja bën thirrje për trajtim më të kujdesshëm dhe profesional të situatës, duke shprehur besimin se produksioni do ta menaxhojë me përgjegjësi, ndërsa falënderon publikun për mbështetjen.

Deklarata e plotë:

REAGIM PUBLIK

Në emër të familjes Shahini, ndiejmë detyrimin të reagojmë publikisht lidhur me mënyrën se si po trajtohet djali ynë, Armir Shahini, gjatë pjesëmarrjes së tij në Big Brother Albania VIP.

Armiri është rritur me edukatë, punë dhe vlera, dhe ka hyrë në këtë format me dëshirën për të qenë vetvetja dhe për të kontribuar pozitivisht. Loja që ai ka ndërtuar ka nisur me qëllim të mirë, duke respektuar me kujdes personat e përfshirë dhe duke ruajtur një qasje njerëzore dhe korrekte, jo gjithmonë ashtu siç është interpretuar apo transmetuar.

Përdorimi i akuzave të rënda dhe etiketimet denigruese ndaj tij, të përsëritura në studio, media dhe rrjete sociale, kanë kaluar çdo kufi të pranueshëm. Shkelja e identitetit të tij moral dhe profesional nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si sensacion mediatik apo si mjet për të krijuar zhurmë publike në kurriz të dinjitetit të një njeriu.

Sa i përket reagimeve të Armirit, ironia ndonjëherë është mënyra më njerëzore për t’u përballur me situata që e kalojnë masën. Jo çdo përgjigje është konflikt; disa janë thjesht reflektim i presionit të vazhdueshëm dhe i një klime që çdo ditë vë në provë durimin dhe ekuilibrin e kujtdo.

Sot flasim vetëm për të ruajtur emrin dhe dinjitetin e djalit tonë. Kemi besim se në vazhdim situata do të trajtohet me kujdesin e duhur dhe se primet e ardhshme do të reflektojnë një qasje më të balancuar, të drejtë dhe profesionale. Besojmë se produksioni dhe ekipi përgjegjës, përfshirë edhe Top Channel, do ta menaxhojnë këtë situatë me përgjegjësi, duke ruajtur integritetin, seriozitetin dhe vlerat e këtij formati.

Faleminderojmë sinqerisht të gjithë mbështetësit, fansat dhe publikun që kanë kërkuar këtë reagim dhe që vazhdojnë të tregojnë dashuri për Mirin e West Side Family.

Me respekt,
Familja Shahini.

Familja e Mirit bën një reagim publik ku përfshin edhe