
“Zjerm” dashurie mund të përshkruhet atmosfera përreth Shkodrës Elektronike këto ditë e sidomos pas natës së mbrëmshme kur dyshja arritën të kualifikoheshin në finalen e Eurovision. Ia kanë dalë të fitojnë zemrat e publikut shqiptar e përtej me këngën e performancën e tyre dhe të sigurojnë mbështetjen e sinqertë të fansave e medias.
Në Bazel të Zvicrës nuk kanë munguar fjalët e mira e as në rrjetet sociale, por pranë Beatriçes e Kolës këto ditë gjenden edhe njerëz të dashur. Zefina Hasani,në një intervistë ekskluzive për “Shije Shtëpie” në Tv Klan tregon se i shoqëron edhe nëna e Beatriçes e cila është kostumografja që na ‘ka gostitur’ sytë me veshjet e këngëtares ku spikatin motivet tradicionale shqiptare.
Njëkohësisht, përpara gjysmëfinales ka mbërritur edhe babai i saj të cilin Beatriçe duket se e paska pikë të dobët, si edhe i fejuari.
E ëma ka qenë në fillim sepse është kostumografja që ka krijuar gjithë imazhin skenik të së bijës dhe i erdhi edhe i ati që unë këtu e takova, e njoha. Ka edhe ai një traditë muzikore në formimin e vet dhe në familjen e vet. Ishte një takim shumë i bukur sepse vajzat për babain janë pika e dobët dhe kishte tjetër emocion Beatriçja kur u takua me të. Janë këtu për ta mbështetur bashkë me të fejuarin e saj, Marçelon. Është e rrethuar me dashuri dhe është shumë e vërtetë që sinqeriteti që këta dy artistë kanë është një tjetër pikë e fortë e tyre. Ashtu si muzika që bëjnë që e kanë shumë organike, e krijojnë ashtu, njëri në shtëpinë e tij, tjetra në shtëpinë e saj, ndërlidhen me njëri-tjetrin, iu buron nga shpirti një lloj muzike që e bëjnë ‘për kokërr të qejfit’ siç e thonë edhe vetë dhe kjo është unikja e tyre. Ata nuk po luftojnë për famën, po luftojnë për muzikën e tyre. Kjo pjesa e sinqeritetit vërtet është një pikë tjetër e fortë që po i tërheq njerëzit më shumë, që i duan më shumë.



