
Ghetto Geasy ka publikuar listën e këngëve të albumit të tij të ri. Ai ka zbuluar se janë 15 këngë të cilat do të publikohen më 15 maj.
Kjo është lista e këngëve të albumit “5 Kurora”, dhe unë dua të falënderoj çdo person që kontribuoi në një mënyrë apo tjetër për këto 15 këngë që do t’i dëgjoni nga data 5 maj e tutje.
Në album nuk mungojnë bashkëpunimet. Disa prej tyre janë reperë me të cilët ai ka bashkëpunuar edhe më parë si Mc Kresha, Mozzik apo Majk.
Por emrat e rinj janë ata që na tërhoqën vëmendjen! Grupi i dikurshëm BabaStars rikthehet në një bashkëpunim. Po flasim për Skivi, Onat dhe Cozman të cilëve u bashkohet Ledri Vula! Hatërmbetjet e tyre të dikurshme janë fashitur dhe Ledri renditet në dy bashkëpunime me Geasy.
Emra të rinj janë edhe pjesa tjetër e grupit PINT: Lyrical Son e Lluni ‘shkrihen’ me Geasy e Onat në një këngë të titulluar “La Famiglia”.
Sigurisht, nuk mungojnë as vajzat. Një repere si Ya Nina edhe mund ta parashikonit pasi ajo deri më tani numëron bashkëpunime të ndryshëm me kolegët.
Një këngëtare si Arilena Ara? Me siguri s’e prisnit aspak në këtë listë! “Xhelozia” titullohet kënga, por bashkimi i dy emrave duket një surprizë e vërtetë duke njohur vokalin, diversitetin dhe shumëdimensionalitetin e Arilenës dhe vargjet e Geasy që shpesh kanë bërë histori. Ndoshta është kënga më e papritur e albumit dhe kemi nisur numërimin mbrapsht për ta zbuluar bashkë me të tjerat!



