
Aktorja e njohur shqiptare Egla Ceno ka ndarë me ndjekësit një vendim të rëndësishëm për karrierën e saj artistike. Përmes një postimi emocional, ajo ka bërë me dije se ka përfunduar xhirimet e filmit “Përqafuesi”, duke theksuar se roli i Matildës do të jetë i fundit i saj në kinematografi. Në këtë projekt, Ceno ka bashkëpunuar me aktorin Gaz Paja dhe një ekip të ri artistësh, të cilët i ka vlerësuar për pasionin dhe përkushtimin e tyre.
Në të njëjtin reagim, aktorja ka zbuluar edhe arsyet personale që e kanë çuar drejt këtij vendimi, duke rrëfyer një periudhë të vështirë familjare dhe dëshirën për t’u tërhequr nga vëmendja publike, për të gjetur më shumë qetësi në jetën e saj.
“Mbrëmë mbarova xhirimet për filmin “Përqafuesi”dhe kam vendosur që Matilda është roli i fundit në kinema. Jam e lumtur që e bëra me një koleg që e vlerësoj shumë si aktor, Gaz Pajën dhe me një ekip djemsh dhe vajzash të reja që kanë një pasion dhe dedikim jashtënjerëzor për punën e tyre me filmin.
Ka disa kohë që përpiqem të jem jashtë vëmendjes së çdo elementi publik, me përjashtim të Teatrit që për mua është si “hallet e shtëpisë”. Ju kërkoj përulësisht ndjesë autorëve/gazetarëve/moderatorëve që kanë insistuar me ftesat e tyre; nuk po kaloj një periudhë të lehtë pas 7 muajsh me sëmundjen e mamit e me situata personale. Nuk kam më dëshirë të jem “e fortë” në këtë fazë të jetës time. Dua pak qetësi. Shpresoj në respektin tuaj.
Faleminderit nga zemra publikut, kolegëve dhe mbështetësve që nuk më lëshuan në asnjë moment. Më keni mbushur me dashuri dhe energji të mirë. Tani kthejmë faqen për një kapitull të ri…deri sa të mbarojmë librin”, shkruan aktorja.



