SOCIALE

197 fëmijë me mutacion gjenetik të lidhur me kancerin, mjekja: IVF nuk ofron siguri 100%

197 fëmijë me mutacion gjenetik të lidhur me kancerin, mjekja:

Lajmi se një donator sperme ka sjellë në jetë 197 fëmijë me një mutacion të rrallë gjenetik, që lidhet me zhvillimin e kancerit, ka tronditur familjet dhe opinionin publik. Hetimi, i publikuar nga BBC në bashkëpunim me 14 media ndërkombëtare, përfshin disa shtete europiane, mes tyre Danimarkën, Belgjikën, Spanjën, Gjermaninë, Greqinë, Shqipërinë dhe vende të tjera.

E ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, mjekja Xhensila Omeri shpjegoi se bëhet fjalë për një mutacion shumë të rrallë, i cili ka shpëtuar kontrolleve standarde gjenetike pasi shfaqet vetëm në qelizat e spermës dhe jo në qelizat e gjakut.

Sipas saj, kjo formë agresive e kancerit shfaqet zakonisht te fëmijët 8–9 vjeç, ndaj ata që kanë trashëguar mutacionin do të monitorohen çdo vit përmes ekzaminimeve mjekësore.

Xhensila Omeri: E para është një fat i keq sepse bëhet fjalë për një sindromë shumë të rrallë që i ka shpëtuar kontrollit normal gjenetik sepse nuk e ka të shprehur këtë problem në qelizat e gjakut apo në qelizat e tjera somatike, nuk kuptohet, e ka të shprehur vetëm në qelizat e spermës. Për shkak se është mozaitizëm, pra një formë e rrallë e shprehjes së këtij mutacioni, i ka shpëtuar kontrollit normal.

Duke folur për situatën në Shqipëri, Omeri tha se nuk ka informacion për ekzistencën e bankave të spermës dhe se, në përgjithësi, gjatë procedurave të fertilizimit in vitro nuk është e mundur të testohet e gjithë gjenoma, çka do të thotë se siguria 100% nuk ekziston.

Xhensila Omeri: Në Shqipëri nuk e di nëse ka një kontroll të tillë. Ne nuk kemi bankë me sa di.

Aldo: Po ligj kemi ne?

Xhensila Omeri: Ligji është bërë me sa di, para një a dy vitesh dhe në momentin që është hapur fertilizimi in vitro në kushte shtetërore te materniteti “Koço Gliozheni”, por fertilizimi in vitro ka ekzistuar edhe para dy viteve te ne në kushte private. Nuk është se kam informacion, por nëse do të flas për bankat ndërkombëtare europiane, patjetër që kanë atë filtrin e tyre të kontrollit për sëmundjet infektive si hepatiti B e C.

Aldo: E kanë, por doli kjo.

Xhensila Omeri: Në ‘screening’ ti nuk mund të testosh të gjithë gjenomën, të gjithë ADN-në, të gjithë materialin kromozomik. Ti do të testosh një numër të caktuar dhe gjithmonë forma të rralla mund të shpëtojnë, nuk ka 100% siguri.

Sa për hetimet mbi ngjarjen, Omeri hamendëson që pacientët mund të jenë informuar tashmë nga klinika.

Xhensila Omeri: Hetimet ndoshta nuk kanë nisur, por mendoj që ajo klinika që ka pasur marrëveshje me klinikën daneze, ka vënë në dijeni pacientët e saj.