SOCIALE

“300 raste në ditë…”, mjekja tregon situatën alarmante në spitale: 3-4 fëmijë me fruth

“300 raste në ditë…”, mjekja tregon situatën

Me ardhjen e stinës së dimrit situata e virozave tek fëmijët mbetet shqetësuese. Gjatë kësaj periudhe vërehet një rritje e lartë e rasteve të virozave të rrugëve aspiratore, por edhe infeksionet gastrointestinale.

Fëmijët e moshave të vogla veçanërisht ata që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet apo shkollat janë më të prekur për shkak të sistemit imunitar ende në zhvillim dhe kontaktit të shpeshtë në ambiente të mbyllura.

Por, përveç virozave sezonale në vendin tonë, prej dhjetorit të vitit të kaluar ka pasur raste edhe të fëmijëve me fruth, deri në 18 raste. Ndërkohë që në vitin 2024 statistikat treguan që numri i rasteve ishte 34, kryesisht të grupmoshave 5 deri në 9 vjeç.

Mjekja pediatre infeksioniste Raida Çami Petrela e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan foli sa i takon situatën që paraqitet në urgjencën e Pediatrisë.

“Gjatë vitit 2025 numri i rasteve me fruth është 20, më pak se sa viti 2024 dhe këtu futen fëmijë dhe të rritur. Ndërsa ky vit që ka nisur ka pasur raste, të cilat presin konfirmimin. Disa fëmijë janë shtruar te në pavion dhe kanë pritur konfirmimin dhe kanë rezultuar me fruth. Për vitin 2026 janë 3-4 raste të konfirmuara, pjesa më e janë konfirmuar në tre mujorin e vitit 2025.

Sigurisht që përkon me virozat e tjera dhe sëmundshmërinë gjatë kësaj periudhe. Urgjenca e pediatrisë ka pasur një numër të shtuar të rasteve, që është pothuajse si në dhjetor dhe ka gati 300 vizita në ditë. Ka një numër shumë të rritur të infeksioneve sigurisht me influencë A”, tha mjekja.