SOCIALE

AKU bllokon 738 kg fileto pule, mishi me probleme në KMY, bllokohet edhe një sasi djathi

AKU bllokon 738 kg fileto pule, mishi me probleme në KMY, bllokohet edhe

Siguria ushqimore vazhdon të mbetet një sfidë për bizneset shqiptare. Vetëm disa orë më parë inspektorët e AKU Tiranë kanë bllokuar 738 kg fileto dhe gjoks pule pranë biznesit KMY në Tiranë.

Siç shihet edhe në ekran, mishi i pulës gjatë procesit të ngrirjes dhe shkrirjes qëndron në tokë, magazinimi i tij është bërë pranë një ambienti që ka prezencë myku dhe ndryshku.

Nëse ky produkt nuk do të ishte bllokuar nga inspektorët e ushqimit, ai do të shkonte te tryeza e konsumatorëve si mish i sigurt. Për këtë arsye, AKU Tiranë ka bllokuar aktivitetin e biznesit KMY deri në plotësimin e kushteve higjeno-sanitare.

Një tjetër aksion është realizuar në operatorin e biznesit të ushqimit “Bonum”, ku kushtet e baxhos ku prodhohej djathi ishin jashtë standardit higjeno-sanitar, muret me lagështirë dhe myk. Ndaj kompanisë Bonum, AKU vendosi masë administrative me gjobë 300 mijë lekë të reja dhe bllokim të produktit.

Pas këtyre veprimeve, produktet e pulës të kompanisë KMY dhe djathi Bonum do të asgjesohen. Inspektorët e AKU-së njoftuan se gjatë kontrollit në baxhon e kompanisë Bonum kanë bllokuar një sasi prej rreth 329 kilogramë djathë të bardhë dhie, që ishte në gjendje në këto ambiente.