
Një studim i ri paralajmëron se një proces jetik për Emperor penguin po shndërrohet në rrezik serioz për mbijetesën e tyre, për shkak të tkurrjes dramatike të akullit detar në Antarktida.
Çdo vit, pinguinët perandorë kalojnë 30–40 ditë në procesin e ndërrimit të puplave, periudhë gjatë së cilës nuk mund të futen në ujë pasi rrezikojnë të ngrijnë. Për këtë arsye, ata varen plotësisht nga platformat e qëndrueshme të akullit detar.
Megjithatë, në vitet 2022–2024, sipërfaqja e akullit arriti nivele rekord të ulëta. Vetëm në vitin 2023, ajo ra nga mesatarja 2.8 milionë km² në 1.79 milionë km², duke lënë shumë koloni pa strehë të sigurt.
Studimi i publikuar në Communications Earth & Environment dhe i udhëhequr nga Dr. Peter Fretwell i British Antarctic Survey, tregon se në Antarktidën Perëndimore, zonë që përbën 30–40% të popullatës globale, shumica e kolonive nuk shfaqen më në imazhet satelitore.
“Në vend të qindra grupeve, pamë vetëm 25,” u shpreh studiuesi, duke ngritur dyshime se mijëra pinguinë mund të kenë ngordhur pasi u detyruan të futen në ujë para se puplat e reja të bëheshin rezistente ndaj të ftohtit.
Shkencëtarët paralajmërojnë se këto zhvillime mund të përshpejtojnë rënien drastike të popullatës së pinguinëve perandorë në dekadat e ardhshme, duke e kthyer ndryshimin klimatik në një kërcënim të drejtpërdrejtë për ekzistencën e tyre.



