SOCIALE

Alarm në Tiranë, shpërthim fruthi në një kopsht jopublik. 15 raste të konfirmuara

Alarm në Tiranë, shpërthim fruthi në një kopsht

Fruthi po rikthehet si kërcënim real për shëndetin e fëmijëve në Tiranë. Ndonëse Instituti i Shëndetit Publik nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për shpërthim, në një kopsht jo publik në kryeqytet është evidentuar një vatër infeksioni.

Sipas burimeve, disa fëmijë të pavaksinuar janë infektuar me fruth, duke e transmetuar virusin tek njëri-tjetri. Prindërit janë njoftuar nga edukatoret që të mbajnë fëmijët në shtëpi për të shmangur përhapjen e mëtejshme.

Mësohet se rastet janë shfaqur tek fëmijë që nuk kanë përmbushur kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. Ligji parashikon që asnjë fëmijë i pavaksinuar të mos pranohet në çerdhe, kopshte apo shkolla, por në praktikë ka institucione jo publike që e shkelin këtë detyrim, duke u kthyer në burim përhapjeje të sëmundjeve infektive si fruthi – një sëmundje që mund të jetë e rrezikshme dhe në raste të caktuara edhe vdekjeprurëse.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se aktualisht janë 15 raste të konfirmuara, ndërsa vatra e infeksionit është izoluar.

Situata vjen në një moment shqetësues, pasi mbulesa vaksinale për vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubeolës), e cila aplikohet në moshën 1-vjeçare, ka rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave, vaksinimi me dozën e parë ka zbritur në rreth 83%, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një mbulim minimal prej 95% për të parandaluar shpërthimet.

Rritja e skepticizmit ndaj vaksinave dhe ndikimi i grupeve “novax” po konsiderohen si faktorë që kanë ndikuar në këtë rënie. Ndërkohë, raste sporadike me fruth janë raportuar edhe në disa vende të Europës, duke e bërë situatën edhe më alarmante për shëndetin publik.