
Në periudhën kur po shijonte pritjen e ëmbël, Besa Muça mori lajmin e tmerrshëm se kishte humbur nënën në një aksident automobilistik. “Më dhimbseshin gjyshërit”, u shpreh ajo në rrëfimin për “Rudina” në Tv Klan, pa e ditur se 18 vite më vonë, fati i kishte paracaktuar dhimbjen e tyre.
Kur Inri erdhi në jetë, solli shpresë e forcë, dritë në shtëpinë e tyre, por që prej fillimit u kuptua se nuk ishte aspak si fëmijët e tjerë. Mjekët përcaktuan vonesë në zhvillim që më vonë rezultoi autizëm. Inri u nda nga jeta në moshën 18-vjeçare.
“Ai është engjëlli im mbrojtës, thjesht nuk e kam prezent, por e di që është me mua”, thotë Besa mes lotësh teksa shprehet se ai i dha mundësinë të bëhej nënë dhe të provonte ndjesinë.
Ajo i kthehet momentit kur ndryshimi i Inrit u vu re për herë të parë nga gjyshja e saj, i cili do të shenjonte vetëm fillimin e një rrugëtimi të gjatë sfidash.
Thoshin që ka ngecje në zhvillim, nuk janë si fëmijët e tjerë. Para se të ma thoshte këtë doktori, e mbaj mend, nëna, kur djali ka qenë 6-muajsh, instiktivisht i del, ishim të dyja dhe unë isha duke e ndërruar çunin. “Besa, Inri nuk është si fëmijët e tjerë” dhe unë e mora atë fjalë, më erdhi rëndë. Vetëm iu ktheva dhe i thashë pse ma the këtë gjë? Ajo u prek se ma tha, “jo, jo, thjesht më erdhi ashtu gabim, mirë është” dhe unë u zemërova gati një muaj. Më rrinte ajo fjali në kokë, por thosha, jo, ai nuk mund të jetë ndryshe, ndoshta me kohë do të bëjë...nuk rrinte ulur. Një fëmijë 6-muajsh, e marrim, e mbështesim dhe ai mund të rrijë, kurse Inri s’e kishte atë gjë. Në moshën 4 vjeç e gjysmë, atëherë e kemi kuptuar që djali ishte me autizëm dhe kishte ngecje në zhvillim. Edhe ajo ka qenë një tronditje e madhe, por pastaj si mund ta ndihmoj, po tani ç’duhet të bëj?
Nga ai çast, për Inrin nisi një trajtim i gjatë me terapi të ndryshme çdo ditë që ishin edhe shpenzime të konsiderueshme për familjen. Goditja e radhës ishte divorci. Një diagnozë e tillë “e forcon ose e ndan çiftin”, shprehet Besa. Ajo dhe ish-burri i saj nuk ia dolën dot, për shkak edhe të moshës së re, siç shprehet, që të ishin edhe më pranë njëri-tjetrit, por ishin gjithnjë aty për Inrin.
Kur Inri mbushi 12 vjeç, erdhi një tjetër sprovë: epilepsia.
Deri në moshën 12-vjeçare, ne shikonim që ai përparonte me terapitë që ai bënte. Në moshën 12-vjeçare, Inrit iu shfaq edhe epilepsia. Epilepsia ishte fund sepse kishte 20-25 sulme në ditë.



