SOCIALE

“I ftohti nuk të ftoh”, farmacistja zbulon se çfarë fshihet në të vërtet pas virozave

“I ftohti nuk të ftoh”, farmacistja zbulon se çfarë

Me afrimin e stinës së vjeshtës e dimrit, rastet me viroza dhe grip rriten ndjeshëm, por a është me të vërtetë i ftohti shkaktari kryesor i sëmundjeve të dimrit? Farmacistja Teuta Maçi, e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, hedh dritë mbi një nga “mitet” më të zakonshme të kësaj periudhe: i ftohti nuk është shkaku i ftohjeve.

Sipas saj, temperaturat e ulëta ndikojnë në mënyrën si trupi reagon për të ruajtur energjinë, por sëmundjet shfaqen vetëm kur sistemi imunitar është i dobët dhe trupi nuk ka fuqi të luftojë viruset që tashmë janë marrë nga jashtë.

Maçi theksoi gjithashtu se nuk është era, i ftohti apo lagështira që na sëmur, por faktorë si mungesa e vitaminës D, gjumi i pamjaftueshëm, mungesa e aktivitetit fizik dhe ekspozimi i ulët ndaj diellit.

“Duhet të dimë që duhet të dalim në diell edhe në dimër, nuk na ftoh i ftohti. Nuk na ftoh ajri i ftohtë, na ftoh mungesa e rezistencës dhe ajrit me virozat. Kur ke ftohtë të ulet energjia e trupit për të luftuar virozën që t’i ke takuar, pra që e ke marrë nga dikush tjetër. Dhe duke qenë se trupi nuk ka energjinë që ta luftojë këtë virozë, mund që të të shfaqen simptomat pak më shpejt. Përfundimi është që nëse nuk je i infektuar me virozë, nuk ftohesh se ke ftohtë. Virozat janë një shfaqje e simptomave të trupit kur sistemi imunitar i joni nuk është mjaftueshëm i fortë dhe nuk është i fortë kur nuk kemi vitaminë D, kur nuk dalim jashtë, kur nuk ekspozohemi në diell, kur nuk flemë herët,kur nuk bëjmë aktivitet fizik.”

Farmacistja jep gjithashtu këshilla të rëndësishme për prindërit se këmbët apo duart e ftohta nuk tregojnë që fëmija ka ftohtë, dhe rrobat duhet të shtohen me kujdes, zakonisht një shtresë më shumë se të rriturit.

Kuptohet që me uljen e temperaturave edhe trupi përshtatet në mënyrë të atillë që të ruajë sa më shumë energjinë. Trupat tanë janë formuar në mënyrë të atillë që të ruajnë sa më shumë me sa më pak energji që të jetë e mundur, që të bëjë sa më shumë rregullim. Një nga mënyrat se si trupi ruan temperaturën është duke rregulluar enët e gjakut dhe ndjehet më së shumti në ftohjen e duarve dhe të këmbëve. Por, kjo gjë nuk do të thotë domosdoshmërisht që trupi është i ftohur. Një këshillë që doja t’u jepja prindërve të rinj, fakti që fëmija ka duar apo këmbë të ftohta nuk do të thotë që fëmija ka ftohtë. Më së shumti shikohet prapa qafës nëse fëmija ka djersitur do të thotë që është i mbiveshur dhe vendoset dora tek gjoksi dhe barku për të parë nëse temperatura e trupit të fëmijës është e ulur apo e shtuar si pasojë e mbiveshjes. Kurse të rriturit e kanë më të lehtë për ta kuptuar. Në përgjithësi rregulli që unë doja t’u thoja prindërve për të ditur se sa duhet që t’i veshim fëmijët në periudhën e dimrit, këshillohet një shtresë më shumë se sa të rriturit.”/tvklan.al/