SOCIALE

Kanceri prek edhe fëmijët, afro 120 raste në Shqipëri. Mjekët rrëfejnë shkaqet dhe kujdesin që duhet treguar

Kanceri prek edhe fëmijët, afro 120 raste në Shqipëri.

Çdo tre minuta, sot në botë, një familje shkatërrohet nga humbja e një fëmije për shkak të kancerit. Mbi 1000 raste të reja, në një muaj të vetëm, tregon se kjo sëmundje kërkon informim dhe solidaritet në çdo cep të globit.

Shefja e Onkohematologjisë Pediatrike në QSUT, Donjeta Bali tregon për RTSH-në se në Shqipëri, ndonëse nuk ka një regjistër kombëtar, çdo vit preken rreth 120 fëmijë me këtë sëmundje.

“Sot llogariten mbi 400 mijë raste të reja në vit në të gjithë botën, pra 140 raste për 1 milion banorë. Në vendin tonë në presim të kemi 90-100 raste të reja për moshën 0-14 vjeç. Së bashku me rastet e kancerit të kokës të cilat prej janarit janë rikthyer në shërbimin tonë, pasi më parë trajtoheshin në Neurokirurgji e të rriturve, ky numër shkon në 120 raste të reja në vit. Jo të tëra rastet arrijnë të paraqiten  në QSUT. Një pjesë marrin rrugën jashtë të panikosur. Të  tërë kur dëgjojmë nuk duam t’i pranojmë sëmundjet tek fëmijët, kurse kur dëgjojmë një lajm të tillë, kërkojmë rrugën më të mirë të mundshme”, thotë mjekja.

Kanceri më i shpeshtë janë leucemitë që prekin gjakun dhe palcën e kockave.

“Vendin e parë e zënë leukozat  leucemitë limfoblastike dhe ato mieloide akute me 25%-30%  të kancerit pediatrik së bashku me limfomat, pastaj vijnë tumoret e trurit ne vend të dytë, të veshkave ( nefroblastomat), tumoret e sistemit nervor periferik e me radhë, tumoret e indeve të buta. Akuzohen shumë faktorë për kancerin pediatrik po ende shkaqet janë të paqarta”, thekson mjekja e Onkohematologjisë Pediatrike.

Trajtimi i fëmijëve me kancer mbetet ende një sfidë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vende më të zhvilluara.

“Kimiopreparatet ose e gjitha terapia e kancerit apo edhe diagnostika është shumë e kushtueshme për vende shumë të zhvilluara. Të dhënat globale thonë se 50% e kancerit pediatrik nuk dedektohet në kohë. Edhe kur dedektohet nuk ofrohet terapia e duhur“, nënvizon ajo.

Mjekët bëjnë të pamundurën ndërkohë që disa familje zgjedhin të shkojnë jashtë kur kanë mundësi. Doktoreshë Dona tregon se shumë fëmijë rikthehen dhe ndjekja vijon këtu duke mbajtur korespondencë të rregullt me mjekët jashtë vendit.

“Sepse problematikat e kancerit pediatrik nuk mbarojnë më përfundimin e trajtimit. Një pjesë e tyre, vetë kimioterapia apo kirurgjitë invazive apo radioterapia apo edhe transplanti modular, prapa kanë efektet e tyre anësore, lënë pasoja dhe jo vetëm ndiqen gjatë asaj që ne i themi “ periudha dritare“. Pesë vjet nga fundi i kimioterapisë, ku edhe risku për t’u rikthyer sëmundja largohet, por është edhe frika e rikthimit të një patologjie apo kanceri të dytë i induktuar prej këtyre terapive, apo rikthimi edhe më i vonshëm i po të njëjtës patologji. Kështu që ndjekja vazhdon“, thotë mjekja.

Parandalimi duket një mision që kërkon ndërgjegjësim. Doktoreshë Dona tregon se prindërit duhet të jenë alert ndaj disa shenjave që fëmija mund të shfaqë.

“Jo për të gjithë kancerin pediatrik ka një profilaksi të njohur. Diagnoza në kohë është që të vlerësohen në kohë disa shenja që në të zakonshmen duken si rutinë, si dhimbja e kockave, temperaturat e larta të pakontrolluara me antibiotikë, një fryrje ose një masë, rënie në peshë, djersitja natën, lodhje e pa shpjeguar e fëmijës, pra këto janë disa shenja të para që duhet ta bëjnë prindin të shqetësohet e të paraqitet te mjeku”, apelon ajo.

Mbijetesa ndaj sëmundjeve tumorale tek fëmijët po rritet dhe deri në 2030 po synohet të kapë masën e 60% të rasteve një objektiv për të cilën thotë Dr.Bali po përpiqet edhe vendi ynë. Ajo apelon për solidaritet nga e gjithë shoqëria.

“Vërtetë nuk mund të themi mos u tremb, mos u alarmo, se prindi alarmohet edhe për një temperaturë 37,5, apo se dy ditë volli fëmija, është vërtetë një lajm katastrofik që të prek. Por mesazhi është që ka shpresë që gjithmonë shkenca po bën përparime dhe në kërkojmë më të mirën për fëmijët tanë, jo vetëm për jetën por edhe për një cilësi të mirë jete. Por për këtë duhet të jemi të gjithë bashkë”, bën thirrje shefja e Onkohematologjisë Pediatrike në QSUT.