SOCIALE

Nga pëlqimet tek dhuna online, si po i vret të rinjtë bullizmi digjital

Nga pëlqimet tek dhuna online, si po i vret të rinjtë bullizmi

Profesor asociuar Ali Erdogan nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti Akdeniz, paralajmëron se individët që janë objekt sulmesh dhe ngacmimesh në rrjetet sociale mund të përjetojnë periudha të shkurtra popullariteti, por kjo shpesh rezulton në probleme serioze afatgjata të shëndetit mendor, si depresioni dhe çrregullimet e ankthit.

Erdoğan, kreu i departamentit të psikiatrisë në Universitetin Akdeniz, shpjegon se miliona njerëz mund të sulmojnë një person njëkohësisht online pa ditur detajet e plota të një ngjarjeje. Ky “mentaliteti i turmës” mund të ketë pasoja të rënda psikologjike.

Kur miliona njerëz kthehen kundër një personi në të njëjtën kohë, kjo mund të shkaktojë çrregullime ankthi, depresion dhe madje të çojë në mendime për vetëvrasje. Efektet negative mund të zgjasin për vite”,- thotë ai.

Ndërsa disa viktima në fillim e perceptojnë këtë vëmendje të papritur si një formë njohjeje ose popullariteti, Erdogan paralajmëron se kjo ndjesi është e pavërtetë. “Ajo që duket si një përvojë pozitive në fillim, shpesh çon me kalimin e kohës në shqetësim të madh emocional. Ndjenjat e vetmisë, pavlerësisë dhe depresionit bëhen të pakapërcyeshme, duke rezultuar në kolaps psikologjik”,- shpjegon ai.

Ndikimi i ngacmimeve në rrjetet sociale është veçanërisht shqetësues tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilët janë më të zotë në përdorimin e këtyre platformave, por edhe më të ndjeshëm ndaj kulturës toksike që promovon sjellje agresive.

“Përdoruesit e rinj mësojnë dhe imitojnë këtë stil komunikimi armiqësor, që dëmton aftësinë e tyre për të zhvilluar diskutime civile dhe për të ndërtuar aftësi të shëndetshme komunikimi. Familjet dhe qeveritë duhet të jenë më vigjilente për të parandaluar normalizimin e dhunës”,- thekson Erdoğan.

Ai nënvizon rëndësinë e mbështetjes profesionale psikologjike për ata që preken nga ngacmimet online. “Çdokush që përjeton sulme të tilla duhet të kërkojë ndihmë menjëherë. Për më tepër, mediat kanë përgjegjësinë të rritin ndërgjegjësimin publik mbi efektet e dëmshme të bullizmit online. Mbi të gjitha, duhet të kultivojmë një kulturë respekti dhe tolerance ndaj njëri-tjetrit”,- përfundon Erdogan.