
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar ndryshime të rëndësishme në procedurat për rinovimin e vizave, të cilat do të hyjnë në fuqi më 2 shtator 2025.
Sipas këtij njoftimi, vetëm vizat turistike dhe biznesi të tipit B1/B2, që janë ende të vlefshme ose kanë skaduar brenda 12 muajve të fundit, do të mund të rinovohen përmes postës.
Për të gjitha kategoritë e tjera të vizave,me përjashtim të disa rasteve specifike të udhëtimeve zyrtare qeveritare – do të kërkohet detyrimisht një intervistë personale në ambientet e ambasadës.
Zyrtarët amerikanë u bëjnë thirrje aplikuesve të vizave që të konsultojnë faqet zyrtare al.usembassy.gov dhe travel.state.gov, ku gjendet informacion i detajuar mbi kërkesat, procedurat e aplikimit dhe shërbimet aktuale që ofron ambasada.
“Duke filluar nga 2 shtatori 2025, vetëm vizat B1/B2 të vlefshme ose që kanë skaduar brenda 12 muajve do të mund të rinovohen përmes postës. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa udhëtimeve qeveritare, do të kërkohet një intervistë. Këshillojmë të gjithë aplikuesit të vizitojnë faqet zyrtare për informacion të detajuar dhe për të qëndruar të përditësuar mbi statusin e funksionimit të ambasadës”, thuhet në deklaratën e përfaqësisë diplomatike.




