Nga 1 shtatori ka nisur depistimi falas për kancerin e qafës së mitrës për gratë 40-50 vjeç. Në një lidhje direkte me programin “Rudina” në Tv Klan, mjekja Evis Binaj shpjegon se ky kancer ka vdekshmëri të lartë.
Evis Binaj: Kanceri i qafës së mitrës është një ndër kanceret me mortalitetin dhe morbiditetin më të lartë ndër kancerët gjinekologjikë. Duke qenë se ka një mortalitet dhe morbiditet kaq të lartë, ai është bërë pjesë e eskrenimit masiv të popullatës femërore.
Ai shfaqet me simptomat e zakonshme të kancerit, por është e nevojshme që të kapet në kohë për t’u trajtuar.
Evis Binaj: Depistimi i kancerit të qafës së mitrës ka disa ekzaminime kryesore, ndër të cilat ajo që ofrohet tashmë është depistimi nëpërmjet HPV testit që realizohet në çdo qendër shëndetësore që nga viti 2019. Që nga viti 2019 deri tani janë depistuar 60 mijë gra. Ato gra të cilat rezultojnë pozitive për HPV testin, më pas drejtohen te qendrat spitalore terciare në mënyrë që të thellohet diagnoza. Përveç HPV testit, është e rëndësishme realizimi i pap testit çdo 3 vjet, realizimi i HPV testit çdo 5 vjet ose bashkimi i HPV testit dhe pap testit çdo 5 vjet për çdo grua të moshës 21-65 vjeç.
Gratë mund të paraqiten pranë qendrave shëndetësore për të kryer depistimin falas.
Evis Binaj: Çdo grua e moshës 40-50 vjeç, pranë gjinekologut në qendrën shëndetësore ku është e regjistruar, mund ta realizojnë HPV testin./tvklan.al



