
Një implant eksperimental në tru ka aftësinë të “lexojë mendjen” e njerëzve, duke përkthyer mendimet e tyre të brendshme në tekst. Sipas shkencëtarëve, kjo teknologji mund t’i ndihmojë një ditë personat që nuk mund të flasin të komunikojnë më lehtë.
Në një test të hershëm, studiues nga Universiteti Stanford përdorën një pajisje ndërfaqe tru-kompjuter (BCI) për të deshifruar fjali që pjesëmarrësit vetëm i mendonin, pa i shqiptuar me zë. Saktësia e përkthimit arriti deri në 74%.
BCI-të funksionojnë duke lidhur sistemin nervor të një personi me pajisje që interpretojnë aktivitetin e trurit, duke lejuar veprime të ndryshme, si përdorimi i një kompjuteri apo lëvizja e një proteze vetëm përmes mendimeve. Këto teknologji po shihen si një mundësi për t’u kthyer pavarësinë personave me aftësi të kufizuara.
Ndoshta më i njohuri në këtë fushë është implanti Neuralink i Elon Musk, një pajisje eksperimentale që po testohet ende për sigurinë dhe funksionalitetin tek njerëz me gjendje mjekësore që kufizojnë lëvizshmërinë.
Zbulimet e fundit, të publikuara në revistën Cell, mund ta bëjnë më të lehtë komunikimin për personat që nuk mund të flasin, pohuan studiuesit.
“Kjo është hera e parë që kemi arritur të kuptojmë se si duket aktiviteti i trurit kur vetëm mendon për të folur,” – shpjegoi Erin Kunz, një nga autoret e studimit dhe kërkuese në Universitetin Stanford.
Ekipi punoi me katër pjesëmarrës në studim, duke implantuar mikroelektroda – të cilat regjistrojnë sinjale nervore – në korteksin motorik, zonën e trurit që kontrollon të folurën. Pjesëmarrësve iu kërkua ose të përpiqeshin të flisnin, ose të imagjinonin se po thoshin një grup fjalësh. Të dyja veprimet aktivizuan zona të ngjashme të trurit, megjithëse me intensitet të ndryshëm.
Më pas, modelet e inteligjencës artificiale (AI) u trajnuan për të interpretuar fjalët që pjesëmarrësit vetëm i mendonin, pa i shqiptuar. Në një demonstrim, çipi i trurit arriti të përkthente fjalitë e imagjinuara me një saktësi deri në 74%.
Në një test tjetër, studiuesit vendosën një fjalëkalim për të parandaluar BCI-në të deshifronte të folurën e brendshme, përveç nëse pjesëmarrësi mendonte kodin. Sistemi e njohu fjalëkalimin me rreth 99% saktësi. Fjalëkalimi? “Chitty chitty bang bang”.
Aktualisht, çipat e trurit nuk mund të interpretojnë të folurën e brendshme pa masa të forta mbrojtëse. Megjithatë, studiuesit besojnë se modelet e ardhshme mund ta bëjnë këtë.
Frank Willett, bashkautor i studimit dhe profesor i asociuar i neurokirurgjisë në Universitetin Stanford, tha se BCI-të mund të trajnohen gjithashtu për të injoruar të folurën e brendshme të pavullnetshme.
“Ky punim jep shpresë reale që një ditë BCI-të e të folurës mund të rikthejnë një komunikim po aq të rrjedhshëm, natyral dhe komod sa biseda e zakonshme,” – theksoi ai.



