SOCIALE

Panik i rremë për shpërthimin e fruthit në një kopsht në Tiranë, reagon ISHP

Panik i rremë për shpërthimin e fruthit në një kopsht

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) njofton qytetarët se nuk ka asnjë shpërthim të fruthit në kopshtet dhe institucionet parashkollore të kryeqytetit. Autoritetet i bëjnë thirrje publikut që të marrë informacion vetëm nga burime zyrtare dhe të shmangë përhapjen e lajmeve të pasakta që mund të krijojnë panik të panevojshëm.

ISHP rikujton prindërit të respektojnë kalendarin kombëtar të vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin në kohë të fëmijëve. Vaksinimi mbetet masa më e sigurt dhe efektive për parandalimin e sëmundjeve infektive si fruthi.

Instituti garanton se do të vijojë të informojë publikun në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme për çdo zhvillim në fushën e shëndetit publik, duke mbështetur sigurinë dhe shëndetin e komunitetit.

Sigurimi i vaksinimit në kohë është përgjegjësia më e madhe e prindërve për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit”,- thuhet në njoftimin e IShP-së.