SOCIALE

Për herë të parë në 30 vite, anulohet ceremonia e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit

Për herë të parë në 30 vite, anulohet ceremonia e

Për të parën herë në 30 vite, ceremonia zyrtare e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit nuk do të zhvillohet për shkak të kushteve meteorologjike të pafavorshme.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, deklaroi për RTSH se ritualet për besimtarët do të vijojnë të kryhen normalisht, pavarësisht anulimit të ceremonisë.

Sot kishim ceremoninë kryesore, që do të drejtohej nga Bujar Asqeriu dhe Dritan Boriçi. Uroj dhe bekoj të gjithë që na kanë shërbyer e shërbejnë, Policinë e Shtetit, e cila mbuloi trafikun e rënduar me ardhjen e besimtarëve.

Ceremonia zyrtare e pelegrinazhit nuk do zhvillohet për shkak të kohës dhe më vjen shumë keq që nuk do të mundemi ta realizojmë. Kishim edhe këngëtarë që do të vinin me helikopterë, por koha nuk i lejoi. Ka furtunë, por pelegrinët s’i ndalojmë dot. Era ishte e fortë dhe pjesa më e madhe e besimtarëve kanë ikur mbrëmë”, u shpreh kryegjyshi i bektashinjve.

Ai shtoi se pelegrinazhi do të vijojë normalisht edhe ditët e tjera.

Mundohemi t’i presim me dashuri e paqe për të kryer ritet e për të marrë energjinë pozitive për të përballuar vështirësitë. Fluksi mund të vazhdojë edhe dy ditët në vijim”, tha Haxhi Dede Edmond Brahimaj, teksa u ndal dhe te disa nga masat e marra për mbarëvajtjen e pelegrinazhit.

Masat që janë marrë nga Kryegjyshata, infrastruktura, rrugët, ambientet sanitare, thertoret, vendi ku qëndron policia, zjarrfikësja, ambulanca. Porositëm të mos ndizen zjarre që të mos rrezikohet asgjë. Kemi vendosur vende për pjekjen e mishit”, përfundoi ai.

Mijëra pelegrinë nga Shqipëria, diaspora dhe mbarë bota kanë nisur prej 20 gushtit udhëtimin drejt Teqesë së Kulmakut për kremtimin e Festës së Baba Tomorrit. Pelegrinazhi në Malin e Tomorrit nisi më 20 gusht dhe përfundon më 25 gusht.