
Shqipëria ka arritur të vendosë nën kontroll hepatitin B tek fëmijët.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet që të japë certifikimin për eliminimin e plotë tek fëmijët në Shqipëri.
“Prej mëse një dekade nuk kemi pasur raste të hepatitit B tek mosha fëminore 0-14 vjeç. Për shkak të kësaj arritjeje, Shqipëria do të certifikohet nga OBSH për eliminimin e hepatitit B në grupmoshën pediatrike”, u shpreh Artan Simaku, specialist i ISHP-së.
Të dhënat bëhen të ditura nga një studim kombëtar i realizuar nga ISHP në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Eliminimi i hepatitit B ka ardhur si rezultat i vaksinimit të foshnjave brenda 24 orëve të para të lindjes.
Por çfarë është hepatiti B dhe çfarë shkakton mostrajtimi i tij?
“Hepatiti B është një infeksion viral i cili prek mëlçinë. Është sëmundje e rëndë, pasi në disa raste, në formë kronike, mund të përfundojë në cirozë, një stad i avancuar i sëmundjes së mëlçisë, apo edhe të çojë në kancer të mëlçisë“, u shpreh Simaku.
Hepatiti B transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore të një personi të infektuar.
Sipas OBSH, çdo ditë regjistrohen 3 mijë e 500 vdekje në botë nga infeksionet e hepatitit viral.
Hepatitet janë mjaft të përhapura në disa grupe risku, si tek përdoruesit e drogave intravenoze, hemofilikët dhe të politransfuzuarit, tek të cilët mund të arrijë 70–80 %.



