
Një studim i botuar së fundmi në revistën shkencore JAMA Network Open sugjeron se një pushim njëjavor nga rrjetet sociale mund të sjellë përfitime të ndjeshme për shëndetin mendor të të rinjve. Hulumtimi përfshiu 373 të rinj të moshës 18–24 vjeç, të cilët për dy javë përdorën platforma si Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe X, ndërsa ekipi studiues monitoronte mënyrën e përdorimit të tyre.
Pas kësaj periudhe, rreth 80% e pjesëmarrësve vendosën të bëjnë një “detoksifikim dixhital” duke hequr dorë nga rrjetet sociale për një javë, ndërsa pjesa tjetër zgjodhi të mos e ndërpriste përdorimin. Të gjithë pjesëmarrësit raportuan se si ndiheshin para, gjatë dhe pas këtij testimi.
Rezultatet treguan se një në katër të rinj përjetoi ulje të ndjeshme të simptomave të depresionit pas një jave pa rrjete sociale. Njëkohësisht, 16% raportuan më pak ankth dhe 15% panë përmirësime në problemet me pagjumësinë.
Efektet pozitive ishin më të theksuara te të rinjtë që fillimisht kishin raportuar nivele të larta ose të moderuara të depresionit, ankthit apo pagjumësisë. Sipas studiuesve, edhe një ndërprerje e shkurtër nga mediat sociale mund të jetë një strategji e dobishme për përmirësimin e mirëqenies emocionale.



