SOCIALE

Studim i ri: Inteligjenca artificiale dështon në saktësinë e lajmeve

Studim i ri: Inteligjenca artificiale dështon në saktësinë e

Një studim i madh ndërkombëtar, i realizuar nga 22 media publike, përfshirë Deutsche Welle (DW), ka zbuluar se katër prej asistentëve më të përdorur të inteligjencës artificiale japin informacion të pasaktë në 45% të rasteve, pavarësisht nga gjuha apo vendi. Gazetarë nga media prestigjioze si BBC (Britani e Madhe) dhe NPR (Shtetet e Bashkuara) testuan përgjigjet e katër chatbot-ëve më të njohur: ChatGPT, Copilot i Microsoft-it, Gemini i Google-it dhe Perplexity AI.

Përmes kritereve si saktësia, burimet e cituara, konteksti editorial dhe dallimi midis fakteve dhe opinioneve, studimi tregoi se gati gjysma e përgjigjeve përmbanin të paktën një gabim të rëndësishëm, ndërsa:

DW raportoi se 53% e përgjigjeve të marra nga asistentët kishin probleme serioze, ku 29% lidhen drejtpërdrejt me pasaktësi faktike. Shembujt përfshijnë raste kur chatbot-ët pohuan se Olaf Scholz ishte ende kancelar i Gjermanisë, megjithëse Friedrich Merz e kishte zëvendësuar një muaj më parë, apo kur Jens Stoltenberg u përmend ende si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, edhe pse rolin tashmë e kishte marrë Mark Rutte.

Sipas Raportit të Lajmeve Digjitale 2025 nga Reuters Institute, 7% e konsumatorëve të lajmeve online përdorin chatbot-ë të AI për të marrë informacion, ndërsa kjo shifër arrin në 15% te moshat nën 25 vjeç. Autorët e studimit paralajmërojnë se këto rezultate tregojnë qartë se AI shpesh shtrembëron përmbajtjen gazetareske. “Këto dështime nuk janë raste të izoluara. Janë sistematike, ndërkufitare dhe shumëgjuhëshe,” – tha Jean Philip De Tender, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), organizata që koordinoi studimin. “Kjo rrezikon besimin publik. Kur njerëzit nuk dinë më çfarë të besojnë, përfundojnë duke mos i besuar asgjëje – dhe kjo dëmton pjesëmarrjen demokratike.”

Ky është një nga hulumtimet më të gjera të kryera ndonjëherë, duke ndjekur një studim të mëparshëm të BBC-së në shkurt 2025, i cili kishte arritur në përfundime të ngjashme. Në këtë studim të ri morën pjesë media nga 18 vende, që analizuan 3,000 përgjigje të chatbot-ëve, duke përdorur të njëjtën metodologji me BBC-në. Pyetjet përfshinin tema aktuale si “Çfarë është marrëveshja për mineralet e Ukrainës?” apo “A mund të kandidojë Trump për një mandat të tretë?” — dhe gazetarët vlerësuan përgjigjet pa e ditur cili asistent i kishte dhënë. Megjithëse u vunë re disa përmirësime krahasuar me studimin e kaluar, niveli i gabimeve mbetet i lartë. “Jemi të entuziazmuar për potencialin e AI-së për të sjellë më shumë vlerë për audiencën,” – tha Peter Archer, drejtor i programit të AI gjenerative në BBC. “Por njerëzit duhet të mund t’u besojnë asaj që lexojnë e shohin. Pavarësisht disa përmirësimeve, është e qartë që problemet vazhdojnë.”

Ndër katër chatbot-ët, Gemini i Google performoi më dobët, me 72% të përgjigjeve që kishin probleme të rënda me burimet. Në studimin e BBC-së, Copilot dhe Gemini u renditën gjithashtu më keq. Por, në të dy studimet, të gjithë chatbot-ët patën probleme të theksuara me saktësinë. Në një deklaratë për BBC në shkurt, përfaqësues të OpenAI theksuan: “Ne mbështesim botuesit dhe krijuesit duke ndihmuar 300 milionë përdorues javorë të ChatGPT të zbulojnë përmbajtje cilësore përmes përmbledhjeve, citimeve, lidhjeve të qarta dhe atribuimeve.”

Sipas EBU-së, mediat pjesëmarrëse po u bëjnë thirrje qeverive kombëtare dhe institucioneve të BE-së që të zbatojnë ligjet ekzistuese për integritetin e informacionit, shërbimet digjitale dhe pluralizmin mediatik. Organizatat theksojnë se monitorimi i pavarur i asistentëve të AI duhet të jetë prioritet, duke pasur parasysh ritmin e shpejtë me të cilin po zhvillohen modelet e reja. Në këtë drejtim, EBU ka bashkuar forcat me disa grupe të tjera ndërkombëtare të mediave për të nisur fushatën “Facts In: Facts Out”, që u bën thirrje kompanive të AI të marrin më shumë përgjegjësi për mënyrën se si përdorin dhe shpërndajnë lajmet. “Kur këto sisteme shtrembërojnë, keqinterpretojnë ose nxjerrin jashtë kontekstit lajmet e besueshme, ato dëmtojnë besimin publik,” – thuhet në deklaratën e fushatës. “Kërkesa jonë është e qartë: nëse faktet hyjnë, faktet duhet të dalin. Mjetet e AI nuk duhet të komprometojnë integritetin e lajmit që përdorin.”