SOCIALE

Tragjedi në Napoli, ndërron jetë foshnja 2-vjeçare pas transplantit me zemër të ngrirë

Tragjedi në Napoli, ndërron jetë foshnja 2-vjeçare pas

Një tragjedi e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali. Një foshnjë dyvjeçare, e cila iu nënshtrua një transplanti zemre në spitalin Ospedale Monaldi në Napoli, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Përpjekjet e ditëve të fundit për të zëvendësuar organin që kishte pësuar dëmtime rezultuan të pasuksesshme, për shkak të gjendjes tejet të rëndë të të gjitha organeve jetësore të fëmijës.

Dy muaj më parë, vogëlushi ishte operuar për transplantin e zemrës, por sipas rezultateve paraprake të hetimeve të prokurorisë, gjatë procesit kishte ndodhur një gabim tragjik. Zemra për transplantim ishte transportuar nga Bolzano drejt Napolit brenda një kutie me akull të thatë. Kur ekipi mjekësor e hapi, organi rezultoi i ngrirë plotësisht, i kthyer në “një copë akulli”.

Megjithatë, ndërhyrja nuk u anulua, pasi në atë moment zemra e pacientit të mitur ishte hequr tashmë, duke e lënë ekipin mjekësor përballë një situate dramatike.

Rasti u bë publik pas disa raportimeve mediatike, ndërsa spitali pranoi përgjegjësinë për gabimin, teksa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.