
Mashtruesit arritën të përvetësojnë mbi 100 milionë dollarë nga gjigantët teknologjikë Facebook dhe Google në një mënyrë tepër kreative: thjesht duke u dërguar email.
Evaldas Rimasauskas, 50 vjeç, pranoi fajësinë për mashtrim përmes telekomunikacionit, pasi ndihmoi në organizimin e një skeme ku u përdor një kompani e rreme dhe email-e phishing për të mashtruar punonjësit e këtyre dy kompanive. Sipas Prokurorisë së Nju Jorkut, skema arriti të zhvaste mbi 100 milionë dollarë nga Google dhe Facebook gjatë viteve 2013–2015.
Si funksionoi mashtrimi
Prokurorët akuzuan Rimasauskas në vitin 2016 për regjistrimin e një kompanie që hiqej si kompania tajvaneze Quanta Computer, e cila në të vërtetë ka marrëdhënie biznesi me Facebook dhe Google. Rimasauskas figuroi si “i vetmi anëtar i bordit të drejtorëve” të kompanisë së rreme dhe hapi llogari bankare në Letoni dhe Qipro në emër të saj. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij përdorën email-e të rreme, të krijuara me kujdes për të ngjarë si mesazhe të punonjësve të vërtetë të Quantas në Tajvan. Përmes tyre, ata dërguan fatura fiktive punonjësve të Google dhe Facebook, të cilët ishin mësuar të kryenin transaksione shumëmilionëshe me Quanta. Punonjësit, duke mos dyshuar, transferuan mbi 100 milionë dollarë në llogaritë e kompanisë së rreme. Skema përfshinte edhe falsifikim kontratash, faturash dhe letrash që dukeshin sikur ishin nënshkruar nga drejtues të kompanive partnere. Madje u përdorën vula dhe elemente korporative të rreme për të shmangur çdo dyshim nga bankat.
Pasojat
“Rimasauskas mendoi se mund të fshihej pas një ekrani kompjuteri në anën tjetër të botës, por ai mësoi se drejtësia amerikane ka krahë të gjatë,” – u shpreh Prokurori Geoffrey Berman. Edhe pse aktakuza nuk përmendte emrat e kompanive, më vonë një gjykatë në Lituani konfirmoi se bëhej fjalë për Google dhe Facebook, ndërsa Quanta deklaroi se ishte kompania e imituar. Rimasauskas u arrestua në Lituani në mars 2017 dhe u ekstradua në SHBA një muaj më pas. Ai ra dakord të dorëzojë rreth 49.7 milionë dollarë si pjesë e marrëveshjesNë një deklaratë për CNBC Make It, përfaqësues të Google thanë: “E zbuluam këtë mashtrim dhe njoftuam menjëherë autoritetet. Fondet u rikuperuan dhe çështja u mbyll.” Facebook gjithashtu deklaroi se arriti të rimarrë pjesën më të madhe të fondeve menjëherë pas incidentit dhe ka bashkëpunuar ngushtë me hetuesit.



