
Drejtori sportiv i AC Milan, Igli Tare, është ndëshkuar me një gjobë prej 10 mijë eurosh pas incidenteve të ndodhura në përfundim të ndeshjes ndaj Pisa SC.
Vendimi është bërë publik përmes një komunikate zyrtare në faqen e Lega Serie A, pas shqyrtimit të çështjes nga Gjyqtari Sportiv. Sipas njoftimit, Tare ka hyrë në fushën e lojës menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare dhe ka kundërshtuar në mënyrë të ashpër vendimet e arbitrit.
Megjithëse reagimi i tij është cilësuar si agresiv në ton, masa disiplinore është kufizuar vetëm në gjobë financiare, duke shmangur një pezullim të mundshëm për drejtuesin kuqezi.
Në sfidën ndaj Pisa-s, te Milani pati pakënaqësi të forta lidhur me kartonin e kuq të dhënë ndaj Adrien Rabiot. Mesfushori do të mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Como 1907, çka shton vështirësitë për skuadrën në javën e ardhshme të kampionatit.



