AKTUALITET

18-vjeçarja plagoset me armë zjarri në dhomën e hotelit të të dashurit: Çfarë deklaroi nëna e këtij të fundit?

18-vjeçarja plagoset me armë zjarri në dhomën e hotelit

Një 18-vjeçare dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në Sauk. E reja, me iniciale N.K., është paraqitur në spital rreth orës 00:15 dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet paraprake dhe verifikimi i kamerave të sigurisë rezulton se ngjarja ka ndodhur në një dhomë të hotelit të të dashurit të saj, ndërsa ky i fundit ishte me familjen në katin e parë, në barin e hotelit. Pas dëgjimit të të shtënave, ata janë ngjitur në dhomë dhe e kanë gjetur të plagosur.

E reja është transportuar në spital nga nëna e të dashurit dhe një familjar tjetër, të cilët fillimisht kanë deklaruar se e kishin gjetur të plagosur në rrugë.

Në vijim të veprimeve procedurale, policia ka arrestuar dy persona për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe për “Armëmbajtje pa leje”. Autoritetet dyshojnë se janë prishur prova në vendngjarje.

Hetimet vijojnë për gjetjen e armës së përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.