Nën dritën e qirinjve dhe mes lutjesh plot shpresë, besimtarë të shumtë katolikë u mblodhën në katedralen “Shën Pali” në Tiranë për të kremtuar meshën solemne të Krishtlindjes.
Me zemrat e mbushura me paqe, ata pritën mesnatën e 25 dhjetorit, çastin që simbolizon lindjen e Jezus Krishtit, birit të Zotit.
Atmosfera e festës u shoqërua nga këngë liturgjike dhe reflektim shpirtëror, duke sjellë mesazhin e dashurisë, faljes dhe bashkimit mes njerëzve.
Mesha u drejtua nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, i cili në fjalën e tij i ftoi shqiptarët që ta jetojnë këtë festë me dashuri ndaj njëri-tjetrit dhe me besim në vlera njerëzore e shpirtërore.
Besimtarët katolikë uruan shqiptarët për t’u bashkuar në këtë ditë të gëzuar dhe sa më shumë lumturi mes tyre.
Krishtlindja, festa që shënon lindjen e Jezusit, mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të krishtërimit, duke kujtuar zbritjen e Perëndisë në tokë për shpëtimin e njerëzimit dhe duke sjellë dritë e shpresë në çdo familje.



