
Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja tragjike e vetëvrasjes së 25-vjeçares Xhuana Nikollaj në Tiranë.
Para aktit ekstrem, e reja i kishte lënë familjes një letër lamtumire ku shkruante: “Nuk duroj dot më! Më vjen keq që ju kam mërzitur, por më besoni që nuk ju kam turpëruar kurrë. Faleminderit për çdo gjë që keni bërë për mua”.
Ngjarja ndodhi më 9 mars, pasi ish-bashkëshorti i saj, Eraldo Fizi, dyshohet se e takoi pranë banesës së saj tek ish-Fusha e Aviacionit. Sipas burimeve, gjatë takimit dyshohet se ajo është dhunuar fizikisht, ndërsa rreth orës 3 të mëngjesit është kthyer në banesë në gjendje të rënduar psikologjike.
Të nesërmen në mëngjes, pasi shoqja me të cilën jetonte u largua për në punë, dyshohet se Xhuana ka shkruar letrën e lamtumirës dhe ka konsumuar fotoksinë. Më pas ajo ka telefonuar motrën e saj që jeton në Angli, duke i treguar për aktin që kishte ndërmarrë.
E alarmuar, motra njoftoi menjëherë shoqen e saj dhe pronarin e banesës, i cili lajmëroi ambulancën dhe policinë. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën se si 25-vjeçarja e siguroi lëndën helmuese, ndërsa ish-bashkëshorti i saj është shpallur në kërkim.



