AKTUALITET

“Kishte shumë pengje”, rrëfimi në lot i Redon Makashit për humbjen e të atit: Duhej të vlerësohej sa ishte gjallë

“Kishte shumë pengje”, rrëfimi në lot i Redon

Familjarë, miq, kolegë dhe artdashës i dhanë sot lamtumirën e fundit aktorit të njohur Fitim Makashi, i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Mes dhimbjes dhe emocioneve, i biri i tij, këngëtari Redon Makashi, ndau publikisht fjalë prekëse për humbjen e babait.

Na ra kështu, si… edhe tani që po flasim më duket si një ëndërr. Duke parë miqtë e tij, mënyrën si e kanë respektuar, kjo ma lehtëson pak dhimbjen. Ata ishin një brez që nuk kthehen më, me sinqeritet dhe shoqëri të vërtetë. Ai në shtëpi fliste shpesh për miqtë, edhe për ata që kishin ndërruar jetë para tij. Është një dhimbje që vetëm brenda e ndjen njeriu”, u shpreh Redoni për TCh.

I pyetur nëse Fitim Makashi u nda nga jeta me pengje, këngëtari nuk i mbajti dot lotët.

Kishte, kishte… por ndoshta nuk është momenti për t’i thënë të gjitha. Ndoshta pengu më i madh ishte që të vlerësohej sa ishte gjallë nga instancat. U shkëput herët nga teatri për shkak të trazirave të asaj kohe dhe në atë periudhë, si shumë të tjerë, u detyrua të largohej drejt Amerikës, ku qëndroi për rreth 15 vite bashkë”,- tregoi ai.

Redon Makashi rrëfeu gjithashtu se jeta jashtë Shqipërisë nuk ishte e lehtë për të atin.

Sa herë ktheheshin nga Amerika, i shihja gjithmonë e më të plakur. I thoja të qëndronin këtu, sepse këtu kishin shokët dhe miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Sot, kur shoh shokët e tij të vjetër, dhimbja më lehtësohet pak, por mbetet një dhimbje e pashërueshme”,- përfundoi këngëtari.