AKTUALITET

Merret vendimi, dënohet me 16 vite burg autori i vrasjes së Martin Canit

Merret vendimi, dënohet me 16 vite burg autori i vrasjes së Martin

Gjykata e Tiranës shpalli sot fajtor dhe dënoi me 16 vite burg, Mario Përlleshajn, autorin e vrasjes së Martin Canit.

Në një prononcim për media, babai i Martin Canit, Engjell Cani tha se ky vendim është rreze drite për familjen e tij, megjithatë sikur edhe të dënohej edhe me dënim përjetë, sërish dhimbja nuk hiqet.

“Vendimi ka nxjerrë një rreze drite për Martinin, por dhimbja nuk krahasohet. Dhimbja jonë është e pakrahasueshme, edhe burgim të përjetshëm të ishte, është e pakrahasueshme. Sherri ka ndodhur që të premten dhe ne me një SMS mund të shpëtonim jetë. Autori s’ka pasur asnjë pendesë”, tha babai.

Redi Ramaj, avokat i familjes Cani bëri të ditur se autori u dënua për dy vepra penale: vrasjen e Martin Canit, si edhe vrasjen e ndodhur në tentativë në rrethana cilësuese ndaj të miturit tjetër që mbeti i plagosur.

Ramaj theksoi se pas mbi një vit nga vrasja tragjike e Martin Canit kemi një vendim gjykate, i cili është një vendim i drejtë.

“Ne mendojmë se nuk është çështje dënimi, është çështje drejtësie. Drejtësi për të mbrojtur të miturit që janë të rrezikuar çdo ditë në shkollat shqiptare dhe kjo duhet të jetë mesazh për qeverinë dhe institucionet arsimore që edukojnë fëmijët e gjithkujt”, tha Ramaj.

Sipas tij, “drejtësia ka bërë punën e saj dhe çështja do të ndiqet edhe më tutje me çdo mjet ligjor të nevojshëm për të mbrojtur të drejtat e familjes Cani dhe për ta vazhduar çështjen në instancat më të larta, për aq hapësirë sa na lejon ligji”.

Avokati i familjes Cani bëri të ditur se i pandehuri është dënuar për dy vepra penale.

“I pandehuri në këtë proces ka marrë dy dënime dhe në bashkim në total në përfundim është 16 vite dënimi përfundimtar. Detajet e tjera do t’i marrim me zbardhjen e vendimit. E rëndësishme është që kemi drejtësi dhe gjykatat shqiptare japin drejtësinë dhe këtë çështje të dhimbshme e kanë trajtuar me dinjitetin që i takonte”, tha ai.

Sipas Ramajt, shqiptarët sot panë se në Shqipëri bëhet edhe drejtësi.

I pyetur nëse do të ankimohet vendimi, Ramaj tha se “do ta vlerësojmë vendimin kur të zbardhet i plotë. Kemi 15 ditë kohë pas zbardhjes së këtij vendimi për ta parë me detaje nëse ka momente që duhen ankimuar apo jo, por parimisht sot gjykata ka bërë drejtësi”.