
Ditën e sotme vendi ynë është ndikuar nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, të shoqëruara me reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.
Në një lidhje direkte për edicionin informativ në Top Channel, sinoptikania Elida Maloçali bëri me dije se edhe gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme, Shqipëria do të vijojë të ndikohet nga mot i paqëndrueshëm.
Sipas saj, reshjet e shiut do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit dhe gjatë shumicës së ditës, kryesisht me intensitet të ulët. Megjithatë, nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra, veçanërisht në zonat me reliev malor.
Era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare herë pas here pritet të arrijë deri në 12 m/s, duke bërë që valëzimi në det të jetë i forcës 2–3 ballë.
Sa i përket temperaturave, ato nuk do të pësojnë luhatje të ndjeshme. Vlerat maksimale gjatë orëve të mesditës do të mbeten rreth 16–17 gradë Celsius.



