
Bardhyl Fusha, 58 vjeç, i njohur si sipërmarrës dhe i proceduar më herët për mosshlyerje detyrimesh, tentoi të grabiste një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, por u arrestua në flagrancë nga policia.
Sipas të dhënave të bëra publike në emisionin Top Story nga gazetari Eraldo Harlicaj, ai hyri në bankë me një çantë sportive ku mbante një kallashnikov dhe dy karikatorë me fishekë. Pasi iu afrua arkës, nën kërcënimin e armës kërkoi para dhe arriti të marrë rreth 8 mijë euro nga një klient që sapo kishte kryer tërheqje.
Alarmi i bankës solli ndërhyrjen e menjëhershme të policisë, e cila e neutralizoi pa incidente dhe sekuestroi armën. Para hetuesve, 58-vjeçari deklaroi se veproi i vetëm dhe në gjendje të rënduar psikologjike, duke pretenduar se kishte borxhe të mëdha pas dështimit të bizneseve të tij në ndërtim.



