
Policia e Vlorës ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e kësaj të premteje në Orikum, ku burri vrau bashkëshorten e tij në banesë.
Policia thotë se rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, se është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh.

48-vjeçarja ka ndërruar jetë në banesë, ndërsa në momentin që shërbimet e policisë kanë mbërritur në banesën e çiftit, kanë konstatuar se 52-vjeçari është vetëvrarë me armë zjarri dhe pranë trupit të tij është konstatuar një armë zjarri tip Glock dhe një gëzhojë kalibër 9 mm.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.



