AKTUALITET

Një muaj pas dhunës brutale, gazetari Elton Tozaj kërcënohet me benzinë në derën e shtëpisë

Një muaj pas dhunës brutale, gazetari Elton Tozaj kërcënohet

Gazetari Elton Tozaj ka denoncuar në polici një ngjarje të rëndë, pasi në derën e banesës së tij ka gjetur një bidon me benzinë dhe një sasi lënde djegëse të përhapur në tokë. Sipas deklarimeve të bëra në komisariat, Tozaj pretendon se bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë, i lidhur me denoncimet publike që ai ka bërë më herët ndaj personave të përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte, rreth orës 04:30, në një pallat në rrugën “Haxhi Deliu” në Tiranë. Menjëherë pas njoftimit, policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Në rrjetet e tij sociale, gazetari ka publikuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit, ku sipas tij shihet qartë autori i dyshuar duke mbajtur në dorë një bidon me rreth 6 litra benzinë, të cilin më pas e lë pranë derës së banesës.

Tozaj ka deklaruar se dyshon që ky veprim lidhet drejtpërdrejt me investigimet dhe denoncimet publike që ai ka bërë, ku ka përmendur me emra persona të dyshuar për shkelje të ligjit.

Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë i përfshirjes së gazetarit në ngjarje të rënda. Më 26 dhjetor të vitit të kaluar, Elton Tozaj u dhunua në mënyrë barbare në autostradën Tiranë–Durrës. Në atë kohë, familjarët e tij bënë me dije se autorët ishin identifikuar, ndërsa gazetari ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ishte në luftë për të mos humbur shikimin.

Ngjarja e fundit ka rikthyer shqetësimin mbi sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias në vend, ndërsa pritet që autoritetet të hedhin më shumë dritë mbi këtë akt të rëndë kërcënimi.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Elton Maksi Tozaj (@elton.m.tozaj)