
Vijon të mbetet kritike situata nga përmbytjet në vend, për shkak të reshjeve të dendura të shiut që prej ditës së djeshme.
Më e goditura nga përmbytjet është Gjirokastra. 70 biznese, shumë shtëpi dhe automjete janë shkatërruar në lagjen “18 shtatori”. Pamjet gati apokaliptike me masive inertesh dhe gurësh në rrugë e dyqane janë pasojë e vërshimeve masive të lumenjve dhe përrenjve.
Të paktën 800 banesa të përmbytura dhe 304 persona të evakuuar, është bilanci paraprak i përmbytjeve në Durrës. Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, situata në Durrës duket më e qetë, por mbetet problematike gjendja në disa zona të qytetit, kryesisht në periferi. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Oborri dhe kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Mësimi nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.
Gjatë natës në Lezhë pati më pak reshje, por sot situata paraqitet më problematike në Laç. Disa familje janë evakuar dhe shumë shtëpi janë të rrethuara nga uji.
Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 7.2 metra mbi nivelin e detit dhe po i afrohet pikës kritike. Raportohet të ketë dalë nga shtrati në zonën e pazarit pranë urës së Mifolit.
Situata paraqitet mjaft e rëndë në disa zona të thella të Bashkisë Kukës, ku një numër i madh fshatrash vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e motit të keq dhe rrëshqitjeve masive të dherave. Gjendja më serioze raportohet në njësinë administrative Zapot, ku të tre rrugët që lidhin këtë zonë me qytetin e Kukësit janë bllokuar plotësisht.
Për shkak të rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh, aksi rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, konkretisht në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, funksionon me një sens lëvizjeje.
Një grup banorësh të zonës së ish-Kënetës, Durrësit të Ri, kanë protestuar këtë të mërkurë për të kërkuar ndihmë, pasi banesat e tyre vijojnë të jenë nën ujë, ndërsa pasdite parashikohen reshje të tjera.
Qarkullimi në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë në afërsi të fshatit Hormovë është paralizuar prej disa orësh. Në pamjet e siguruara nga Top Channel vërehet rruga e bllokuar komplet nga rrëshqitja e dheut dhe gurëve në anë të shpatit.



