
Policia e Shtetit ka shpallur planin e masave për mbarëvajtjen e tubimit të thirrur nga Partia Demokratike, i cili do të zhvillohet ditën e nesërme, në orën 17:00, përpara Kryeministrisë.
Përmes një njoftimi zyrtar, blutë e Tiranës bëjnë me dije se për të garantuar rendin dhe sigurinë, do të aplikohen kufizime të trafikut që nisin që prej mesnatës së sotme.
Harta e bllokimit
Plani i kufizimeve është ndarë në dy faza për të menaxhuar fluksin e mjeteve dhe për të liruar perimetrin e sigurisë:
Nga ora 23:45 e sotme do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në Bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.
Nesër, nga ora 15:00 do të ketë bllokim total të lëvizjes së automjeteve në segmentin kryesor të Bulevardit (nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”).
Rrugët dytësore të bllokuara do të jenë “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia paralajmëron se në varësi të situatës dhe numrit të pjesëmarrësve, mund të ketë bllokime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Për këtë arsye, u bëhet apel qytetarëve që nuk janë pjesë e tubimit të shmangin qendrën dhe të përdorin rrugët alternative si Unaza e Mesme apo Unaza e Madhe.
Përveç masave për trafikun, Policia e Tiranës ka dhënë edhe një mesazh lidhur me mbarëvajtjen e rendit. Duke iu referuar disa deklaratave publike që paralajmërojnë skenarë tensioni, uniformat blu u kërkojnë qytetarëve të distancohen nga çdo akt dhune.
“I bëjmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike,” mbyllet njoftimi i Policisë.



