AKTUALITET

Rastet me virusin Nipah në Indi, OBSH qetëson për rrezikun global

Rastet me virusin Nipah në Indi, OBSH qetëson për rrezikun global

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se rreziku i përhapjes së virusit vdekjeprurës Nipah përtej Indisë mbetet i ulët, pas konfirmimit të dy rasteve në Bengal Perëndimor.

OBSH theksoi se nuk rekomandohen kufizime udhëtimi apo tregtie, pasi nuk ka prova për rritje të transmetimit nga njeriu te njeriu.

Megjithatë, disa vende aziatike, përfshirë Hong Kongun, Singaporin, Malajzinë, Tajlandën dhe Vietnamin, kanë shtuar kontrollet në aeroporte si masë parandaluese.

OBSH shton se India ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar shpërthime të tilla.

Virusi Nipah transmetohet kryesisht nga lakuriqët e natës ose ushqimi i kontaminuar dhe ka një shkallë vdekshmërie nga 40% deri në 75%, ndërsa aktualisht nuk ekziston as kurë dhe as vaksinë e miratuar.